Zgjati afro 5 ore/ Përfundon mbledhja e Kryesisë së PD-së, ja vendimi i rëndësishëm që u mor

59
0

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku u vendos mbledhja e Kuvendit Kombëtar në datën 18 Dhjetor, duke aprovuar propozimin e Lulzim Bashës. Kanë qenë 26 anëtarë të Kryesisë që kanë votuar pro këtij vendimi.

Ndërkohë që kundër mbledhjes së Kuvendit kanë votuar Belind Këlliçi, Ivi Kaso dhe Aldo Bumci.

4 të tjerë nuk kanë qenë pjesë fare e votimit, përfshirë Edi Palokën, Flamur Nokën dhe Albana Vokshin.

3 anëtarë të Kryesisë votuan abstenim, ndërkohë që dy të tjerë munguan.

Mbledhja e sotme e Kryesisë është shoqëruar nga përplasje të ashpra mes grupimeve, pro Bashës dhe pro Berishës.

Vetë Basha ka thirrur kështu mbledhjen e një Kuvendi paralel me atë të kërkuar nga Berisha në datën 11 Dhjetor.

“Jemi një parti, do të kemi vetëm 1 Kuvend. Nuk do të lejojmë askënd të marrë këtë parti peng!”- tha  Basha në mbylljë të mbledhjes së Kryesisë e cila zgjati për afro 5 orë.

Teksa Basha dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë qëndronin në mbledhje në selinë e PD, Sali Berisha i bëri thirrje kryedemokratit që ti jepte fund farsës, që sipas tij synon të mbajë peng partinë më të madhe të opozitës.

Berisha e quajti lëvizjen e tij një referendum, dhe paralajmëroi se Kuvendi do të zgjasë deri në rikthimin e pluralizmit politik në vendin tonë.

Vendimi i Kryesisë së PD-së: 

Thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ditën e shtunë, më datë 18 Dhjetor 2021, ora 11:00, në Pallatin e Kongreseve, me rend dite:

“I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnëinteresat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendëne saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimine Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.

III. Miratimine programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.

Organizatat partnere, Forumi Rinor i Partisë Demokratike (FRPD) dhe Lidhja Demokratike e Gruas (LDG), në përfundim të procesit të organizimit të zgjedhjeve për organet e tyre drejtuese në përputhje me udhëzimin nr. 133, datë 05.11.2021 të Kryetarit të Partisë (për FRPD) dhe udhëzimin nr. 137, datë 06.11.2021 të Kryetarit të Partisë (për LDG), të paraqesin për miratim pranë Kryesisë së Partisë, sipas pikës 4 të nenit 58 të Statutit të PDSH, statutin e organizimit të tyre, ku të parashikohet që parimet bazë të strukturës së tyre organizative të jenë të ngjashme me ato të PDSH.

Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.

Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për marrjen e masave organizative për njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, në përputhje me nenin 47 të Statutit të PDSH.

Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Degët e Partisë Demokratike, FRPD dhe LDG, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.