Kryeministri italian, Giuseppe Conte, ka sqaruar masat e reja anti Covid të marra nga qeveria italiane për shkak të pandemisë.
GJate nje komunikimi per mediat, Conte u shpreh se ndër masat e reja të marra nga qeveria në kuadër të epidemisë është që kryetarët e bashkive të mbyllin rrugët dhe sheshet ku krijojnë shumë grumbullime.
“Vendi nuk mund të përballojë një bllokim të ri të përgjithësuar”, tha Conte.
Pas orës 21.00 nuk lejohet më qarkullimi në rrugë dhe sheshe i qytetarëve, njoftoi Conte ndërsa tha se ka arritur në 160 mijë numri ditor i tamponëve. 24 orët e fundit u regjistruan mbi 11 mijë të infektuar dhe 69 të vdekur.
Ai theksoi se palestrave do t’u jepet një javë kohë për t’u përshtatur me protokollet e sigurisë.
Sa i përket shkollave, mësimi do vijojë, por është sugjeruar që për shkollat e mesme të bëhet mësimi online.
“Restorantet do të lejohen të punojnë deri në mesnatë, ndërsa do të kufizohet numri në 6 persona për tryezë. Nëse qëndrojnë jashtë tavolinave, ora 18 shënon mbylljen e shërbimit.
Do të vijojnë ende pa kufizime spitalet, aeroportet, autostradat”, sqaroi Conte.
Ai tha se bashkitë kanë autonomi të vendosin për mbylljen ose jo të shesheve.
“Strategjia nuk është dhe nuk mund të jetë e njëjtë si në pranverë: në muajt e fundit kemi punuar intensivisht. Masat më efektive mbeten ato paraprake themelore: maska, distanca dhe higjiena vetjake. Ne i duhet ti kushtojmë vëmendje sidomos grumbullimeve me të afërmit dhe miqtë. Në këto situata kemi nevojë për kujdes maksimal. Qeveria është aty por të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre”, theksoi kryeministri italian.