Kriza e ushqimeve, Vuçiç: Nuk do t’i lëmë fqinjët tanë të uritur, bukë për të gjithë, por..

231
0

Serbia siguron vendet e Ballkanit Perëndimor se do të furnizohen me miell dhe grurë. Presidenti i këtij shteti, Aleksandër Vuçiç, duke folur për krizën në Ukrainë dhe anomalitë në kërkesat për furnizim me lëndën e parë, tha shprehimisht se nuk do të lejojë që fqinjët të mbesin të uritur.

“Kemi marrë tashmë kërkesat e para nga Shqipëria dhe po punojmë për to. Por, nëse thua se Serbia do të ketë bukë, ndërsa Bosnjë e Hercegovina jo, kjo do të thotë se as Serbia nuk do të ketë”, tha Vuçiç. Në një intervistë për median serbe “Dnevni Avaz”, Vuçiç sqaroi se Serbia ka rezerva gruri më shumë se sa i nevojiten.

Ndërsa kryetari i kuvendit, Ivica Daçiç, refuzoi edhe njëherë mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë për ta dënuar pushtimin e Ukrainës. Ai tha se me këtë vendim, Beogradi nuk do të dëmtonte Moskën, por interesat e veta. “Rusia është i vetmi vend që do të vendosë veto ndaj njohjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit, ndërsa vendet perëndimore nuk do ta tërheqin njohjen, por do të vazhdojnë ta shtyjnë tutje. A ia vlen që ne t’i vendosim sanksione Rusisë? Me to nuk do ta dëmtonim Rusinë, por veten”.

Daçiç shtoi se Serbia ka marrë përsipër të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të Bashkimit Europian, në kuadër të negociatave të anëtarësimit, teksa sugjeroi se Beogradi do ta njehsonte menjëherë atë nëse bëhet nesër anëtar i BE-së.

Por kjo mënyrë presioni mund t’i kushtojë shtrenjtë. Nëntë anëtarë të Parlamentit Europian nga grupi i liberalëve “Të rinovojmë Europën” i dërguar një letër presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe shefit të politikës së jashtme, Josep Borrell, duke u kërkuar atyre që të pezullojnë përkohësisht bisedimet e anëtarësimit me Serbinë. Gjithashtu, kërkohet ngrirja e asistencës financiare deri sa Beogradi të mbështesë sanksionet kundër Rusisë.

Ndërkohë, Serbia ka hedhur poshtë akuzat e Ukrainës se në territorin e saj po grumbullohen luftëtarë për të plotësuar forcat ushtarake ruse. Ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç, e konsideroi pretendimin e Kievit një gënjeshtër dhe tha se pjesëmarrja e shtetasve serbë në konfliktet e armatosura jashtë vendit është krim i rëndë dhe parashikohen dënime shumëvjeçare me burg.