Kriteret për të përfituar bashkim familjar në Itali. Ja 5 kategoritë që mund të përfitojnë

351
0

Voltiza Duro – Të gjithë ata qytetarë që përmbushin kriteret e përcaktuara mund të aplikojnë për bashkim familjar në Itali. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtoresha e patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj tregon për pesë kategoritë që mund të përfitojnë qëndrim në Itali, falë bashkimit me familjarët e tyre që jetojnë në këtë shtet.

Më tej ajo sqaron për të gjithë të interesuarit dokumentacionin që duhet dorëzuar, bazuar në tipologjitë e bashkimit familjar dhe thekson se paraqitja e dokumentacionit të kërkuar nuk sjell domosdoshmërish lëshimin e vizës.

Cilat janë kriteret për të përfituar bashkim familjar në Itali?
Në bazë të normativës në fuqi, kategoritë e mëposhtme të familjarëve mund të kërkojnë bashkim familjar me qytetarë shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali. Specifikisht bëhet fjalë për këto kategori: bashkëshortë jo të ndarë ligjërisht, me moshë jo më pak se 18 vjeç; fëmijë të mitur, qoftë edhe të bashkëshortit apo të lindur jashtë martese, të pamartuar me kusht që prindi tjetër, nëse ekziston, të ketë dhënë pëlqimin e tij; si dhe fëmijë në moshë madhore në ngarkim, në rast se për arsye objektive nuk janë në gjendje të kujdesen për nevojat e tyre të jetesës për shkak të gjendjes shëndetësore që përbën invaliditet të plotë. Gjithashtu, kanë të drejtë të kërkojnë bashkim familjar edhe prindër në ngarkim, në rast se nuk kanë fëmije të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes; si dhe prindër mbi 65 vjeç që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes (ose kur fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të rënda shëndetësore të dokumentuara).

 

Cili është dokumentacioni që nevojitet?
Dokumentacioni i nevojshëm për të gjitha tipologjitë e bashkimit familjar përfshin: formularin e kërkesës për vizë (duhet përdorur një formular për secilin aplikant për vizë, i plotësuar në secilën pjesë të tij dhe i firmosur. Në rastin e të miturve, formulari duhet firmosur nga të dy prindërit, (ose kujdestari) pranë Kancelarisë Konsullore); pasaporta e vlefshme (skandenca e pasaportës duhet të jetë të paktën tre muaj pas mbarimit të afatit të vizës që kërkohet); një fotokopje e pasaportës; 2 fotografi të kohëve të fundit të formatit teser; një certifikatë personale (vetëm nëse është kërkesa e parë për vizë, për të verifikuar përkatësinë territoriale të Kancelarisë Konsullore të Ambasadës së Tiranës). Gjithashtu, duhet dhe një fotokopje e lejes së qëndrimit të vlefshme e qytetarit shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali. Në rast se është e skaduar duhen paraqitur 3 faturat e pagesës për kërkesën për rinovim; dhe një fotokopje e Autorizimit (Nulla Osta) lëshuar nga Sporteli i Vetëm për Emigracionin (SUI). Por ka raste që duhen edhe dokumente shtesë.

Cilat janë më specifikisht dokumentet shtesë që nevojiten në raste të veçanta?
Në varësi të rasteve, duhet shtuar dokumentacioni i mëposhtëm për kërkesat për bashkim familjar nga qytetarë shqiptarë me bashkëshort me qëndrim të rregullt në Itali duhet një certifikatë martese (vlefshmëria 6 muaj). Ndërsa për kërkesat për bashkim familjar të fëmijëve minoren me prind shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali nevojiten: certifikatë e gjendjes familjare; në rastin kur të dy prindërit janë rezident në Itali, fotokopje e lejes së qëndrimit të prindit që nuk kërkon bashkim familjar; në rast se prindi tjetër është rezident në Shqipëri duhet të firmosë një akt pëlqimi për daljen e fëmijës jashtë shtetit, pranë selisë së Kancelarisë Konsullore në momentin e paraqitjes së kërkesës së vizës); në rast se vetëm një prej prindërve ka të drejtën prindërore, dokumentacion që të provojë këtë të drejtë si dhe në rast të bashkimit familjar me fëmijët e bashkëshortes, certifikatë martese.

Po në rastet e fëmijëve me aftësi të kufizuar apo jetimë, cili është dokumentacioni që nevojitet për bashkim familjar?
Për kërkesat për bashkim familjar të fëmijëve në moshë madhore në ngarkim (në kushte invaliditeti të plotë) duhet një certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i ambasadës; si dhe një certifikatë e gjendjes familjare. Ndërsa për kërkesat për bashkim familjar të prindërve me fëmijët duhet një certifikatë e gjendjes familjare (trungut familjar) me të gjithë fëmijët, me të gjitha shënimet si dhe ndryshimet e mundshme të gjendjes familjare; një fotokopje e dokumentit të qëndrimit; një dokumentacion mbi të ardhurat e përgjithshme nga puna, ose/edhe pronësi ose pensioni (deklaratë e zyrës lokale të ISSH që vërteton shumën e pensionit të marrë); si dhe një dokumentacion që provon të qenit nën ngarkim të qytetarit shqiptar që ka bërë kërkesën për bashkim familjar (fatura transferimi të parave në kohë për një periudhë prej të paktën 6 muaj para kërkesës për vizë etj.).

Si procedohet në rastet kur do të kryhet kërkesa për bashkim familjar për prindërit?
Për kërkesat për bashkim familjar të prindërve mbi 65 vjeç që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo të prejardhjes (ose kur fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta, për arsye të rënda shëndetësore të dokumentuara) nevojitet një certifikatë e gjendjes familjare me të gjithë fëmijët, me të gjitha shënimet si dhe ndryshimet e mundshme të gjendjes familjare; fotokopje e dokumentit të qëndrimit (nëse është i skaduar edhe 3 faturat e rinovimit të tij) të të gjithë fëmijëve me qëndrim jashtë shtetit (në rast se një apo më shumë se një fëmijë janë me qëndrim të rregullt në një shtet që nuk është Italia, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi diplomatike/konsullore italiane në atë vend); si dhe një certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i ambasadës, që të vërtetojë se fëmijët me banim në Shqipëri janë në gjendje të rëndë shëndetësore të dokumentuar dhe nuk mund të kujdesen për prindërit.

Ku duhet të kenë kujdes aplikantët?
Të gjitha dokumentet dhe deklaratat në shqip të lëshuara nga autoritetet lokale, duhet të jenë të përkthyera në gjuhën italiane dhe të apostiluara nga Ministria e e Jashtme shqiptare. Certifikatat e gjendjes civile duhet të jenë të lëshuara nga jo më shumë se 6 muaj. Formularët për kërkesën për vizë dhe modularet në përdorim mund të shkarkohen nga siti i Ambasadës ëëë.ambtirana.esteri.it (në veçanti konsultoni sektorët “Viza” dhe “Modulistikë”) si dhe shpërndahen pa pagesë në Zyrat e ambasadës. Përfaqësia diplomatike apo konsullore ka të drejtën të kërkojë dokumentacion shtesë në rast nevojë. Jeni gjithmonë të mirëpritur në zyrat tona duke e ditur që qëllimi ynë i vetëm është qe t’ju ndihmojmë dhe të zgjidhni problemet tuaja. Mund t’i drejtoheni patronatove INAS CLS Albania, Patronato ACLI dhe ITAL Uil në Tiranë për sqarime të detajuara në lidhje me dokumentacionin dhe projektin.gsh.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.