Komplimento, përqafo, dhuro dashuri! Bota ka nevojë për ndjenja!

912
0

Mjafton të shohësh përreth teje që të kuptosh se sa ka ndryshuar gjithçka. Dikur dilje dhe njerëzit i shihje të bënin muhabet përgjatë gjithë shëtitjeve të tyre.

Sot i sheh secilin me celularin e vetë në dorë, të zhytur në botën e tyre virtuale.

Dikur një mik më ka thënë “Teknologjia ka për t’i çmendur njerëzit”, por nuk e ka fajin vetëm interneti dhe teknologjia për gjithçka që po na ndodh.

Nëse e shohim që në rrënjë këtë problem, unë them se të gjithë do të dalim në të njëjtin përfundim. Nuk e kanë fajin smartfonët, por raportet e ftohta që kemi ne me personat përreth.

Nëse që në fillimet e zhvillimit të teknologjisë, ne do të kishim raporte më të ngushta me njerëzit që na rrethonin, nevoja për mbështetje nga personat virtualë do të ishte minimale.

Sot ne po marrim mbështetje, komplimenta, “dashuri” nga njerëz që nuk i njohim dhe në të kundërt, po marrim përbuzje, urrejtje dhe paragjykime nga ata që i mendonim miq.

Për këtë mjafton të mendosh vetëm për diçka. Kur ka qenë dita e fundit që një mik apo një mikeshë e jotja të ka komplimentuar? Kur ka qenë hera e fundit që ti ke komplimentuar dikë pranë vetes?

Duket paksa falsitet dhe hipokrizi të komplimentosh dikë edhe për diçka që nuk ka vend për mburrje, por koha e tashme është e mbushur me stres dhe vetmi për këdo.

Nuk ka person të zhytur në internet që të jetë i lumtur.

Madje stresi dhe vetmia ndihen më tepër tek ata që qëndrojnë më gjatë duke përdorur internetin. Kjo është arsyeja se pse neve na duhen më shumë fjalë të ngrohta me njëri-tjetrin.

Dikush mund të mos jetë veshur me shumë stil, por ti mund ta komplimentosh për paraqitjen apo për karakterin e tij.

Dikush tjetër mund të mos jetë i paraqitshëm, por mund të gjesh një arsye për ta komplimentuar për veshjen, apo aromën e parfumit që ka hedhur.

Pas kësaj, shikojeni se si buzëqeshja ka për t’u shfaqur në fytyrën e përsonit përballë jush, duke ia zhdukur tiparet e vetmisë dhe dëshpërimit.

Është në dorën tonë për ta ndryshuar këtë realitet. Nuk ia vlen që rinia jonë, pra qeliza nga e cila e merr zhvillimin gjithë shoqëria, të jetojë kështu siç po jeton, në vetmi, në dëshpërim, me strehë të vetme rrjetet sociale.

Jemi ne që duhet t’i ftojmë të afërmit tanë, miqtë tanë në kafe dhe t’u flasim atyre sa më ngrohtë; t’i përqafojmë; t’i falim dashuri.

Për të ngrohur zemrat e vetmuara duhet punë, por duhet ditur se nuk ka gjë të paarritshme.Si thoni sikur të gjithë së bashku ta largojmë përqendrimin tonë dhe të personave rreth nesh nga virtualiteti dhe t’ia shtojmë atë realitetit?

Natyra dhe bota janë plot me ngjyra dhe mezi presin të eksplorohen nga ne. Gjithçka që duhet bërë, është të ndryshojmë sadopak sjelljen tonë. Që sot, nëse është e mundur.