Kolegji konfirmon 30 qershorin për datë zgjedhjesh, Meta konferencë të jashtëzakonshme

883
0

Presidenti Ilir Meta lajmëron konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ditën e nesërme në orën 08.00.

Burime nga Presidenca bëjnë me dije se konferenca do të mbahet mëngjesin e së martës, lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të lënë në fuqi datën e zgjedhjeve në 30 qershor, e cila u anulua nga kreu i shtetit.

Po ashtu mësohet se Meta do të flasë edhe për krizën e rëndë politike në vend.

Kjo konferencë vjen pasi mesditën e sotme Kolegji Zgjedhor shpalli verdiktin e tij në lidhje me kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar përfaqësuar nga kryetari Idajet Beqiri për çregjistrimin nga zgjedhjet.

Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Tomor Skreli, Ridvan Hado, Lindita Sinanaj, Artur Malaj dhe Shkëlqim Mustafa, vendosi të rrëzojë kërkesën e PUK, duke firmosur që në 30 qershor të zhvillohen zgjedhjet lokale.