Kolaudimet/ Gonxhe parlajmëron shoferët:Do të shtojmë kontrollet, nuk do jetë më si në të shkuarën…

937
0

Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku inspektuan këtë të hënë pikën e kolaudimit të automjeteve në kryeqytet.

Gjatë vizitës, Gonxhe tha se po bëhet kujdes që të minimizohen rastet e mitmarrjes në vendin tonë, duke u shprehur se ka ende servise dhe sekserë që përfshihen në afera, duke dhënë goma dhe marmita me qira për kalimin e kolaudimeve. Sipas Gonxhes janë sistemet që u japin dorë automjeteve në këtë drejtim.

Po bëjmë kujdes me pjesën e mitmarrjes. Po bëjmë ç’është e mundur të minimizojmë deri në maksimum rastet…Po flisja me drejtorin, dëgjojmë që ka akoma që jepen goma, marmita me qira për të kaluar kolaudimin. Ka servise dhe sekserë të përfshirë në këto afera.

Të shtunën patëm një sherr të madh me dy-tre veta sepse kishin denoncuar sekserë në zonë që janë mësuar në të shkuarën. Do jetë një betejë e vështirë, një sfidë shumë e madhe, sistemet janë të vetme që do na jepnin dorë që të jemi objektivë. Do shtohen mjetet e kontrollit për xhamat e errët që ta bëjmë në one stop shop”, tha Gonxhe.

Ndërkohë që gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku tha se është ndryshuar afati i vlefshmërisë së kontratës. Ajo theksoi se për automjetet private është vendosur që kolaudimi të bëhet çdo dy vjet, nga çdo një vit që ishte më parë, ndërsa për automjetet e reja nuk do të ketë Kolaudim në tre vitet e para.

Në ndryshuam afatin e vlefshmërisë së certifikatës. Autoveturat, mjetet private kanë marrë dyfishin e vlefshmërisë. Automjetet që përdoren për arsye profesionale, si taksitë, e kemi ndryshuar kolaudimin nga 6 muaj në një vit. Për automjetet private është çdo dy vjet nga çdo një vit që ishte. Për automjetet e reja nuk do të ketë kolaudim në tre vitet e para. Çmimi që paguhej për certifikimin një herë në vit, tani paguhet një herë në dy vite”, tha ajo.