Klienti therret policine pasi kafja i kushtoi 2 euro, lokali gjobitet me 1000 euro

4107
0

Një kafe-bar në Firence të Italisë është gjobitur me 1000 euro, pasi një klient u ankua për çmimin e një filxhani espresso.

Klienti thirri policinë, pasi çmimi për kafenë e tij ishte 2 euro – pa kafeinë. Burri u ankua se çmimi nuk ishte shfaqur në meny.

Francesco Sanapo, pronari i lokalit ‘Ditta Artigianale’, foli për incidentin, duke mbrojtur kafenë e tij, për të cilën tha se vjen nga një plantacion i vogël në Meksikë dhe “është përgatitur me shumë kujdes”. Ai argumentoi se çmimi i kafesë ishte shfaqur në një meny digjitale.

“Ata më gjobitën sepse dikush u ofendua që pagoi 2 euro për një kafe pa kafeinë. Mund ta besoni?”, tha Sanapo në një video teksa mbante një letër-dënimi nga policia.

Në Itali, kostoja mesatare e një espresso është 1 euro, megjithëse më shumë se 70 përqind e bareve rritën çmimet në fillim të vitit për shkak të problemeve të zinxhirit të furnizimit dhe korrjeve të dobëta.

“Kishte reagime negative dhe pozitive, por deri më tani nuk jam gjobitur kurrë. Askush nuk duhet të skandalizohet më për të paguar 2 euro për një espresso,” shtoi Sanapo, duke përmendur rritjen e kostos së lëndëve të para.

Disa nga klientët e lokalit gjithashtu mbrojtën pronarin, shkruan Guardian, transmeton Klankosova.tv.

“Nëse ky klient shkon në Londër, ai do të thërrasë FBI-në”, shkroi njëri nga ta në Facebook.