Kaska për qytetarët por jo për policët

668
0

Rregullat dhe ligjet janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë, si për qytetarët ashtu edhe për autoritetet. Por një foto e dërguar në rubrikën “Kallëzo” pranë redaksisë së tvklan.al, ngre disa pikëpyetje.

Tre motora, dy prej të cilëve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Njëri nga të dy, i përket Policisë Rrugore, me të cilin po udhëtojnë dy punonjës policie. Kjo foto është shkrepur në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet. Drejtuesi i parë ka zbatuar me përpikmëri rregullat e qarkullimit, pasi ka vendosur kaskën mbrojtëse.

I dyti është motori i policisë, ku shihet që polici pasagjer është i pa pajisur me kokoren sikurse e kërkon ligji. E njëjta pamje edhe në motorin e tretë, ku drejtuesi ka vendosur kaskën kurse pasagjeri jo.

Sipas nenit 160 të Kodit Rrugor, drejtuesit dhe pasagjerët e motorave e kanë të detyrueshme përdorimin e kaskës mbrojtëse.

NENI 169 – PËRDORIMI I KASKËS MBROJTËSE PËR PËRDORUESIT E MJETEVE ME DY RROTA:

1. Eshtë e detyrueshme që gjatë lëvizjes të vihet në kokë një kaskë mbrojtëse sipas tipit të homologuar, në përputhje me normativat e përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse për:

a) drejtuesit e çiklomotorëve dhe motorëve me dy rrota;

b) drejtuesit e motorëve të çfarëdo cilindrate, edhe po të jenë të pajisur me kosh, si dhe për pasagjerët edhe po të jenë në moshë jo madhore.

2. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë. Kur shkeljen e kryen një pasagjer në moshë jo madhore, përgjegjësinë e mban drejtuesi i mjetit.

Por kjo është një situatë që e has shpesh në realitetin shqiptar, ku ata që duhet të jenë të parët në zbatimin e ligjit, shpesh i shpërfillin vetë këto rregulla. Sa paradoksale dhe e ndershme do të ishte nëse kjo patrullë e policisë rrugore do të gjobiste dy të rinjtë me motor për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse në rastin e pasagjerit? Përgjigjen po iu a lëmë juve. /tvklan.al