Kadare, bota tragjike e një shkrimtari, mes maktheve dhe lajkave të regjimit

607
0

CLAUDIO MAGRIS/ “Ballkani, sipas një thënieje të famshme të Çërçillit, prodhon më shumë histori nga ç’mund të konsumohet. Kjo histori e shkarkuar nga qarkullimi prodhim-konsum, si copa të rëna nga zinxhirët e transportatorëve të mallit, përfundon duke dalë nga shtrati si një lumë i mbufatur, duke tronditur dhe përmbytur argjinatura dhe kufij, duke marrë me vete objekte shtë- piake e rrënoja, që bllokojnë kalimin. Historia e pazgjidhur shpesh është inkubacioni dhe, së shpejti, shpërthimi i luftës. Ballkani është një vatër luftërash, madje edhe i kohëve të fundit, që kurrë nuk shuhet plotësisht.

kadare

Ashtu si shumë emra të realiteteve gjeopolitike – sipas Metternich, edhe vetë Italia ishte vetëm një shprehje gjeografike – edhe “Ballkani” është një fjalë që nuk dihet dhe nganjëherë nuk duam të dimë se çfarë realiteti tregon saktësisht. Kroacia, për shembull, gjeografikisht, vështirë se mund të ishte pjesë, por Pannonia e shkrimtarit të madh kroat Krleža është një univers i fuqishëm poetik, në të cilin kalojnë retë e Europës Juglindore. Historia e pakonsumuar ose më saktë e pavendosur në një sistem të qëndrueshëm dhe të rregullt politiko-social dhe në institucionet e veta, është një valë e paqëndrueshme dhe e stuhishme fatesh individuale dhe kolektive, ekzistencash që i janë besuar rastësisë dhe pasigurisë, jetësh si gjethe në një stuhi.

Ndoshta, për këtë arsye Ballkani ka krijuar dhe vazhdon të krijojë një letërsi të gjallë, kryevepra të hedhura në shi, në vende të ndryshme dhe në gjuhë të ndryshme – edhe pse jo gjithnjë kaq të ndryshme siç pretendojnë; Danubi im, i përkthyer tridhjetë vjet më parë në serbo-kroatisht, sot ka një version kroat dhe një version serb, të dy të shkëlqyeshëm. Nga kaosi vjen shpesh një katastrofë politike dhe një letërsi e madhe – në Ballkan, për të dhënë vetëm disa shembuj, Crnjanski, Andric, Kiš, Krleža dhe të tjerë, të cilët me po aq të drejtë do të vlenin t’i përmendnim. Mos vallë letërsia dhe arti në përgjithësi janë të destinuara të zhvillohen mirë, kur gjërat nuk shkojnë mirë? Një nga këta krijues të spikatur është Ismail Kadare. Shqipëria e tij është – gjuhësisht, kulturalisht, historikisht – një larmi e veçantë, madje edhe brenda kaleidoskopit ballkanik. Shqipja është një gjuhë ilire që nuk ka fare të bëjë me gjuhët sllave, që ndikojnë, por vetëm pjesërisht, një nga dy dialektet e saj të mëdha. Vendi ka qenë për shekuj me radhë nën Perandorinë Osmane dhe islamizimi, siç vë në dukje vetë Kadare, e ka vendosur atë në imagjinatën perëndimore, në një ballafaqim, nganjëherë negativ me botën sllave ortodokse.

Ashtu si shumë shkrimtarë të atyre vendeve, Kadare ka lindur në një familje myslimane, por gjegjësisht i huaj ndaj ndonjë feje të caktuar ndjen fuqishëm hijeshinë e pranisë dhe kulturës osmane, e fuqisë së saj shpesh mizore, por politikisht të matur, ndjenjën e vanitetit dhe pashmangshmërinë e të gjitha gjërave, të vërshimit të flashkët dhe lodhjes së saj. Kadare e di që i detyrohet, mbi të gjitha, konfliktit të botës sllave-osmane për “vizionin origjinal global, historitë e mëdha epike, fatkeqësitë”, letërsisë ballkanike, siç është shprehur ai vetë pa qenë në gjendje të thotë nëse kjo është e mirë apo e keqe. Kadare, ndër të tjera, ka futur në rrëfimin e tij të paepur, rezistencën shekullore shqiptare ndaj sundimit osman, si në romanin e tij, “Daullet e shiut” (1981), që rimerr temën e lashtë epike të rrethimit dhe feston veprat dhe fitoren e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeut, kampion i luftës kundër turqve. Luftërat dhe skllavëria kanë përndjekur Shqipërinë jo vetëm në kohët e lashta. Nazizmi dhe fashizmi kanë vendosur dhe imponuar, për fatkeqësinë tonë, kurorën e Shqipërisë në krye të Victor Emmanuel III. Mbi këtë episod, Kadare ka shkruar një roman të mrekullueshëm, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), kërkimin e mjegullt të trupave të ushtarëve italianë, tregime fantazmash, por mbi të gjitha burrash të djeshëm dhe të sotshëm.

Fuqia poetike e Kadaresë është në shkrimet e tij në bardhë e zi, më shumë se ajo plot fantazi orientale, në ftohtësinë e tij që e bën edhe më tragjike ngjarjen historike dhe njerë- zore dhe ngjyrat tragjike të luftës. Në luftën e përgjakshme për çlirimin e Ballkanit, Kadare ka parë e përshkruar terrorin nazist, tashmë, në vendlindjen e tij Gjirokastër, “qytetin e gurtë” të romanit të tij “Kronikë në gur” dhe e ka parë dhe dëshmuar terrorin e kuq që do të instalonte në Shqipërinë e çliruar nga nazifashizmi, më të egrin, më tiranikun dhe të paaftin nga regjimet komuniste; diktaturën e pamëshirshme të Hoxhës.

Ekstremizmi ideologjik i regjimit do të çonte Shqipërinë në prishjen, deri të marrëdhënieve edhe me Bashkimin Sovjetik të Hrushovit, konsideruar shumë të moderuar dhe madje edhe me Kinën Maoiste, në ato vite edhe ajo e prishur me BRSS, refuzon tradhtaren e revolucionit botëror me çdo kusht, por me sa duket jo aq ekstremisht për regjimin shqiptar. Sot Shqipëria është një vend i lirë, i gjallë, i hapur ndaj kulturave të tjera dhe në veçanti ndaj asaj italiane; ka shkrimtarë e studiues të rinj të rëndësishëm, si Viola Adhami – e shkencës së përkthimit, që është një hapje ndaj botës, hulumtues të rinj të studimeve italiane, si Mimosa Hysa.

Kadare jetonte në një vend të izoluar, në një diktaturë mizore dhe të paaftë; në një sistem, siç shkruan John Banville, në stilin e “Lizës në botën e çudirave” (“Unë do të jem gjykatës dhe juri, do të ngre unë gjithë akuzën dhe të dënoj me vdekjen e zezë”, thuhet në përrallën groteske të Carroll). Përvoja, vështirësitë, lajkat, makthet, fatkeqësitë triumfale të diktaturës ishin ndoshta përvoja themelore, në mënyrë të pashmangshme ambigue për Kadarenë. Ka qenë deputet i Parlamentit shqiptar nga viti 1970 deri në vitin 1982, i kërcënuar me vdekje dhe gjithashtu i lëvduar nga regjimi, krenar në nacionalizmin e tij, një shkrimtar i madh, i kurorëzuar me sukses mbarëbotëror. Eksperiencë, që ata që nuk e kanë jetuar një regjim të ngjashëm, nuk mund ta imagjinojnë me të vërtetë, e lëre më ta gjykojnë.

Kadare e ka lënë Shqipërinë në vitin 1990, kur diktatura ishte duke vdekur apo ishte pothuajse e vdekur dhe kur thuhet, zhgënjimi për demokracinë e lindur nga hiri i atij totalitarizmi, duket se ka qenë për të, jo më pak i fortë se horrori, të shfaqur tanimë me guxim, domosdoshmërisht i sfumuar për totalitarizmin. Gjithsesi, duket se totalitarizmi në shekullin e njëzetë është një burim i tmerrshëm, por i frytshëm i letërsisë së madhe. Në Pallatin e shkëlqyer të Ëndrrave (1980) të Kadaresë, totalitarizmi përpiqet të marrë nën mbikëqyrje edhe të pavetëdijshmen, fantazitë, ëndrrat e këqija të skllevërve të tij, të transformuar të gjithë në informatorë. Përvoja e diktaturës duhet të ketë ngulitur te Kadare kuptimin e jetës edhe të ambiguitetit të pashmangshëm dhe tradhtisë.

Ndoshta, kjo është arsyeja pse Kadare e refuzon alternativën, në rolin e një shkrimtari, midis disidencës dhe jo disidencës, e cila ndoshta i duket se është fisnikërisht abstrakte dhe iluzore. Ndryshe nga shumica e disidentëve fisnikë dhe të guximshëm, Kadare duket se e kanë përjetuar totalitarizmin edhe nga brenda, si një sëmundje vdekjeprurëse (falsifikimi, gënjeshtra, represioni) që ndot në një farë mënyre edhe ata që vuajnë atë botë. Grotesku, loja me elementin e rremë, elementi kyç i rrëfimeve të tij janë e vërteta e të gjithëve, e tiranëve si edhe e viktimave, dhe e vetë shkrimtarëve. E keqja, në “Qorrfermani” (1991) verbon edhe viktimat; ai që shkruan me mjeshtri në personalitete të ndara nuk mund të mos njohë as tek vetja dyzimin. Në fund të fundit, çdo shkrimtar është gjithashtu një spiun, jo i një regjimi, por i një jete. Bota e portretizuar nga Kadare është krahasuar me atë të “1984” nga Orwell. Analogjia është e qartë, por me një ndryshim: bota mbetet jashtë në njëfarë mënyre të Orwell, i cili nuk është pjesë, pavarësisht se e ndjen thellësisht praninë e tmerrshme, ndërsa Kadare është pak si të kishte jetuar nën vëzhgimin e Big Brother. Një autor pjellor i shumë veprave që nuk mund të listohen të gjitha, poet i fuqishëm i groteskut dhe fantastikes, Kadare arrin ndoshta madhështinë e vërtetë, jo vetëm duke evokuar perandori dhe tirani, por duke rrëfyer tregime të thjeshta dhe të thella si vetë jeta.

(“Corriere della sera”)