Mandati i Zegjine Çaushit u kthye në telenovelë ditën e sotme pas rinumërimit të votave në Fier, ku asaj iu hoq mandati pasi kishte 10 vota më pak se kandidatja tjetër e PS, Maldrida Bardho.
Por mbrëmjen e sotme historia ka marrë një tjetër kthesë, dhe Zegjineja do të jetë në Kuvend në shtator, pasi Bardho ka vendosur të mos e mbajë mandatin.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Bardho shkruan se ajo do të japë kontributin e saj për qytetarët e Lushnjës dhe Fierit, por pa qenë në Kuvend.
Më tej thekson se do i lërë me kënaqësi vendin e saj në Kuvend Zegjinesë, pasi sipas saj ajo është personi që ka luftuar më shumë se të gjithë për skuadrën.
Postimi i plotë:
Pasi ndoqa me vëmendje rinumërimin e votave për qarkun Fier, ndihem e lumtur dhe e nderuar që kontributi im i gjatë në Partinë Socialiste është vlerësuar nga bashkëqytetarët e mi dhe ata më kanë konsideruar të denjë për ti përfaqësuar në parlamentin shqiptar.
Megjithatë, unë kam marrë një vendim të rëndësishëm, që kam dëshirë ta ndaj me të gjithë, një vendim që e kam marrë përpara se të niste rinumërimi dhe që sot m’u përforcua përfundimisht.
Unë do të vijoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, me të gjithë mundësitë e mia, por pa qenë pjesë e parlamentit shqiptar.
Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shenjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjeter, nga politika e përbaltjes që ka frikë nga zërat e rinj, Zegjinesë nga e cila sot më ndajnë vetëm 10 vota dhe që padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit, për të përfaqësuar të rinjtë, sidomos vajzat.
Ju falenderoj nga zemra thellësisht dhe do të jem aty për të gjithë ju që më votuat, me të njëjtin entuziazëm dhe forcë që vetëm ne socialistët kemi!