Lija e majmunit kohët e fundit ka ngjallur jo pak shqetësime për popullatën në mbarë botën, por dhe është vendosur në fokus të OBSH-së. Për të ndarë më shumë informacione për këtë sëmundje misterioze, emisioni “Rudina” në Tv Klan pati një intervistë me mjekun Ilir Alimehmeti.
“Lija e majmunit shkaktohet nga një virus të cilin ne e njohim prej shumë kohësh. Pra e kemi zbuluar në vitin 1958. Virus endemik i zonën së Afrikës Qendrore dhe Afrikës Perëndimore, por zona të thella të Afrikës në përgjithësi, por atje gjendet më shpesh sepse ka rezervuarë natyrorë dhe kafshë të ndryshme të cilat ndodhen aty. Për shkak sepse edhe popullata e atyre zonave ku janë ushqehen dhe janë në kontakt të ngushtë me këto kafshë, kanë mundësinë që ta marrin pikërisht prej tyre. Gjithashtu mund të transmetohet në kontakt shumë të ngushtë nga njeriu tek njeriu dhe gjithmonë mbeten këto vatra që janë në Afrikë, ku kemi vënë re që patjetër ka pasur disa shpërthime ndër vite dhe është denominuar emergjencë e shtetit publik me karakter ndërkombëtar, por në fakt i takon vetëm zonës së Afrikës. Ka pasur gjithmonë raste sporadike që kanë ardhur në Europë apo në shtete të tjera nga lija e majmunit, por vdekshmëria ka qenë në Afrikë gjithmonë. Kur vjen puna për Europën nuk është regjistruar asnjë rast.”
Mjeku Ilir Alimehmeti tha se lija e majmunit është një sëmundje e cila mund të mbahet nën kontroll. Ndërkohë që shtoi se ekziston edhe një vaksinë, por që është vetëm për zonën e Afrikës dhe nuk mund të përdoret nga kontinentet e tjera.
“Është një sëmundje e cila mund të mbahet nën kontroll dhe të trajtohet. Nga krahu tjetër ekzistojnë dhe dy lloje vaksinash për lijën e majmunit, por nuk janë të rekomanduara për kontinente të tjera. Janë të rekomanduara vetëm për Afrikën Qendrore. Sa i përket pjesës tjetër të botës kjo vaksinë nuk rekomandohet me përjashtim nëse do të udhëtosh në këto zona ku është endemik ky virus dhe në rastet kur do të hysh në kontakt të ngushtë me popullatën e zonës, atëherë ka një rekomandim, përndryshe nuk përbën një problem të madh.”
Sipas mjekut shenjat e lijës së majmunit janë shumë të ngjashme me ato të gripit, por ato bëhen të dallueshme vetëm pas 3-4 ditësh pasi individi është infektuar. Janë pikërisht njollat/puçrrat në lëkurë që identifikojnë lijën e majmunit. Ilir Alimehmeti tha se nuk ka vend për panik, pasi kjo është një sëmundje e parandalueshme dhe e trajtueshme.
“Shenjat e sëmundjes janë shumë të përgjithshme në fillim. Mund të ngjajnë me simptomat e gripit dhe 3-4 ditë më pas mund të ketë një rashë krutan, që bën atë qe ne quajmë lijë. Është ngjitëse deri në momentin kur këto shenja në lëkurë shërohet dhe lëkura rivendoset atje ku ishte. Problematika për Europën nuk është e shkallës së problematikës së Afrikës. Mbetet sëmundje endemike në atë zonë, sëmundje e parandalueshme dhe sëmundje e trajtueshme për sa u përket pjesëve të tjera.”/klan/