Jo vetem bonus per bebet, por dhe ndihma në lekë për fëmijët deri në 3-vjeç, nisma e re e qeverise, ja kush perfiton

429
0

Fëmijët e familjeve në nevojë do të mbështeten financiarisht në vitet e para të jetës. Sipas strategjisë së mbrojtjes sociale, mbështetur në modelet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, ndihma në lekë parashikohet të jepet fillimisht deri në moshën 3-vjeçare.

“Sugjerimet e këtij dokumenti synohet të pilotohen në kuadrin e skemës për “1000 ditët e para të jetës së fëmijës” dhe më pas të vijohet me zbatimin kombëtar të saj të mbështetur në një kuadër të mirë ligjor dhe rregullator”.

Programi i mbrojtjes sociale është planifikuar të përmirësojë jetën e fëmijëve përmes ndihmës me para kesh. Përfitues të saj do të jenë fëmijët familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe ata që kanë vetëm njërin prind.

Aktualisht ekzistojnë disa përfitime për përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve në familjet në ndihmë ekonomike, të tilla si bonusi i bebes për çdo fëmijë të lindur kjo edhe në familje pa ndihmë ekonomike, stimuli financiar për regjistrimin në shkollë dhe për vaksinimin, tekste shkollore falas, bursa mësimore. Aktualisht në Shqipëri janë 68 500 fëmijë në familje në nevojë.

Ndërkohë në Gjermani, ku zbatohet një nga skemat më të mira të ndihmës sociale, fëmijët mbështeten financiarisht në masën 250 euro çdo muaj deri në moshën 18-vjeçare.