Jo më 3 muaj qëndrim në BE për shqiptarët, 11 kërkesa drejtuar BE për qytetarin shqiptar

3500
0

Profesor Artan Fuga ka një listë me 11 kërkesa për Samitin e Berlinit që pritet të mbahet të hënën në Tiranë dhe mes tyre, heqjen e kufizimit periodik për qëndrim të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian.

“E drejtë qëndrimi jo tre, por gjashtëmujore pa vizë në hapësirën e BE për qytetarin shqiptar!”, thotë Fuga në kërkesën e tij.

Aktualisht shqiptarët lejohen të qëndrojnë 3 muaj ndër 6 ose 6 muaj në vit, pasi janë hequr vizat gjashtëmujore dhe në zonën Shengen lëvizet përmes parimit 3 muaj qëndrim në 6 muaj.

Fuga kërkon që të hiqet kjo klauzolë dhe rendit edhe 10 kërkesa të tjera që noa.al jua sjell më poshtë:

Njëmbëdhjetë kërkesa për Samitin e BE të mirëseardhur në Shqipëri!

Nga Artan Fuga

Përpara Samitit evropian, unë e marr përgjegjësinë e plotë për të thënë se Shqipëria duke mbajtur fort rrugën për integrim evropian, pa hezitime dhe lojra, duhet të rinegociojë disa parametra të procesit të integrimit.

Nuk mund të jenë vetëm parimore, vetëm dogmatike, vetëm të njëanshme, dhe të paluejtëshme sikurse mendoheshin tridhjetë vjet më parë.

Shqipëria duhet të përmirësohet, por edhe të kërkojë të riparohen disa gjëra që na pengojnë:

1. – Kuota punësimi disavjeçare për punëtorë shqiptarë në vendet evropiane 2. – Kuota për prodhime shqiptare cilësore në të gjithë tregjet evropiane 3. – Këmbim i monedhës shqiptare, lekut, me euron, në pikat e shkëmbimit të parasë në vendet evropiane 4. – Krijimi i zonave të lira ekonomike në Shqipëri me shkëmbim politikash evropiane për investime strukturore në Shqipëri 5. – Financimi i disa produkteve bujqësore sipas standardeve të mbështetjes të bujqësisë evropiane 6. – Zhdëmtimi financiar i BE për Shqipërinë për çdo person me shkollë të lartë që punësohet në një vend evropian. Pra shlyerja nga ato shtete të shpenzimeve të shkollës së lartë. 7. – Krijimi i një banke strategjike Shqipëri – BE për depozita për emigrantët shqiptarë në vendet e BE 8. – Njohje e viteve të punës në Shqipëri për cdo emigrant që përfiton pension në një nga vendet e BE. 9. – Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë e huaj fakultative së paku në dhjetë universitete evropiane 10. – Një qendër kulturore evropiane në Tiranë me buxhete të BE 11. – E drejtë qëndrimi jo tre, por gjashtëmujore pa vizë në hapësirën e BE për qytetarin shqiptar!