Jetonte me “ushqime me listë”/ Gruaja që u vra gabimisht bënte tre punë për të rritur mbesën

277
0

Fqinjët vënë duart në kokë një ditë pas breshërive të plumbave  në rrugën Anastas Shundi.

Për ta, kjo ngjarje mund të ishte shmangur, sepse trazirat në lagje nuk ndodhnin për herë të parë.

“Dëgjova të shtënat. Por kjo është çmenduri. Ata pinë drogë, edhe bëhen grupe grupe e ndodhin këto gjëra, vrasin të pafajshëm”, thotë një fqinj.

Si pasojë e sulmit me kallashnikov mbrëmjen e të dielës, Mimoza Paja, 58 vjecarja e cila banonte prej 10 vitesh në Tiranë ndërroi jetë. Ndërsa mbesa që rritej nga ajo deri mbrëmë, e pranishme në lokalin ku ndodhi atentati mbeti e plagosur por jashtë rrezikut për jetën. Humbja e gjyshes në mënyrë tragjike, ka traumatizuar 10-vjeçaren, e cila pas divorcit të prindërve kishte nënë dhe babë Mimozën.

58-vjeçarja mundohej me mish e me shpirt duke bërë disa punë e duke jetuar me borxhe për të siguruar jetesën për të dyja.

“Ishte grua shumë punëtore. Në pikë të hallit, shumë e varfër. Detyrohej edhe të mblidhte kanoçe. Kishte listë me ushqime borxh, madje edhe ato që ngelnin si për shembull kalbësirat edhe ato i merrte. Mu dhimbs shumë”, thotë shitësja e dyqanit.

Lokali ku punonte Mimoza Paja, gruaja e pafajshme së cilës ju mor jeta gjatë një atentati, ndodhet vetëm 10 metra larg shtëpisë së saj.

“Ç’faj kishte mimoza? Ajo punonte dy turne që të siguronte bukën e gojës edhe për mbesën. Shumë e pasigurt ndihem në vendin tim”.

Banorët janë të frikësuar dhe jo të gjithë kanë guximin të flasin, por të gjithë qoftë përballë kamera apo jashtë tyre i kërkojnë shtetit të vihet drejtësi për Mimozën dhe ngjarje të tilla të mos përsëriten:

“Shteti të vërë fre, ndryshe ky vend nuk bëhet”!