Reshjet e shiut do të jenë prezente gjatë gjithë javës në territorin shqiptar. Sipas sinoptikanëve, nga e hëna deri të mërkurën reshjet do të jenë kryesisht të pakta dhe nuk pritet të krijojnë problematika. Situata ndryshon në pjesën e dytë të javës, ku nga e enjtja, e premtja dhe gjatë fundjavës priten rrebeshe shiu pothuajse në të gjithë vendin.
Pavarësisht motit të lagësht, temperaturat do të mbeten relativisht të larta për këtë periudhë. Vlerat minimale do të zbresin rreth 3°C, ndërsa maksimalet do të ngjiten deri në 17–18°C, rreth 2–3 gradë mbi mesataren tipike të muajit shkurt. Java pritet të jetë e ngrohtë dhe me lagështi të lartë.
Nga e mërkura problematikë shtesë do të jetë era. Pritet forcim i saj, ndërsa në pjesën e dytë të javës, veçanërisht të premten, të shtunën dhe të dielën, parashikohen stuhi detare. Në det të hapur shpejtësia e erës mund të arrijë deri në 80 km/h ose më shumë, duke sjellë vështirësi për qarkullimin detar.
Meteorologët theksojnë se muaji shkurt do të karakterizohet nga reshje të shpeshta gjatë gjithë tij.