“Jam nip i topiajve”: Bamir Topi habit me prejardhjen e tij nga fisi i njohur

827
0

Bamir Topi mbrëmjen e djeshme ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur rreth librit të tij të sapo publikuar.

Ai ka replikuar edhe me gazetarin Ylli Rakipi lidhur për rolin e Sali Berishës në Partinë Demokratike dhe mënyrën se si Berisha i caktonte detyrat pa garë. Rakipi tha se Topi e quan Berishën një njeri autoritar, por se ka qenë pikërisht ai që i ka caktuar të gjithë postet e rëndësishme që ka mbajtur.

Ish-presidenti Topi foli për prejardhjen e tij dhe tha se ka një hipotezë që familja e tij është pasardhëse e Topiajve, fisit të madh që ka udhëhequr Shqipërinë në shekullin e 14-të.

“Vjen mbi bazën e të dhënave dokumentare dhe transmetimit të informacionit brez pas brezi. Fisi i Tanush Topiajt ka banuar në këtë zonë. Ka ndodhur një lloj konvertimi, është një hipotezë. Sikurse ka ndodhur me mjaft shqiptarë, që janë konvertuar nga katolikë në fenë islame.
Mund të ketë një transformim të tillë. Përvec ndaljes së përdorimit të mbiemrit Topiaj, aty fillon përdorimi i mbiemrit Topi. Nuk ka alternativë tjetër.”

Ish- presidenti foli gjithashtu për një ulli 3 mijë vjeçar që ndodhet në oborrin e shtëpisë së tij dhe domethënien e kësaj peme.

“Në kuptimin figurativ, ulliri është dëshmitar i kohëve të shkuara. Nëse ka një element autentik që Shqipëria duhet të krenohet është ulliri. Për Tiranën, është thënë që Tirana nuk ka një të kaluar për të qenë krenarë.

Kur kam folur për Tiranën, jam futur në arkivë dhe ka të dhëna mjaft interesante që fillojnë nga koha e Skënderbeut. Në Tiranë ka patur 140 mijë rrënjë ullinjë. Tashmë janë 80 mijë rrënjë.”, u shpreh ai.