«Jam e pasur, por s’do të harxhoj asnjë qindarkë për festa», pse kjo mama angleze s’u ka blerë kurrë dhurata fëmijëve

836
0

Kemi hyrë në periudhën ku vitrinat festive dhe dritat shumëngjyrëshe, spotet publicitare me babagjyshin e Vitit të ri dhe atmosfera e Krishtlindjes na ‘’paralajmërojnë’’ se festat e fundvitit janë shumë afër.

E sigurisht që festat nuk do të kishin të njëjtin kuptim po të mos ishin dhuratat, të cilat fëmijët i presin me padurim. Nuk ka rëndësi nëse janë sjellë mirë apo keq gjatë vitit, në fund Santa Klaus (domethënë prindërit) do t’i lënë poshtë pemës , ashtu siç e kërkon tradita në disa vende. Mirëpo Kim Palmer, një grua britanike, nuk u ka blerë dhe s’ka ndërmend t’u blejë kurrë dhurata dy fëmijëve të saj: Louis, 4 vjeç dhe Kingsley, 8 muaj. Mamaja nga Sevenoaks, qytet i vogël në verilindje të Londrës, ka sqaruar për ‘’The Sun’’ arsyet e këtij vendimi, që mbështetet po ashtu nga partneri i saj.
‘’Jam rritur në një familje ku nuk më ka munguar asgjë. Më kujtohen mëngjeset e Krishtlindjeve gjatë fëmijërisë, mezi prisja të hapja dhuratat e panumërta që kisha kërkuar. Grisja me padurim mbështjellëset, por nuk ndieja asgjë. Kjo është edhe arsyeja pse bashkë me tim shoq Simon, kemi zgjedhur të mos bëjmë kurrë dhurata. Nuk dua që fëmijët të ndihen boshë, t’u plotësohen të gjitha dëshirat dhe të mos kenë asnjë stimul për ta parë botën ndryshe. Jam CEO e një kompanie shumë të rëndësishme, fitoj shumë para, por nuk kam ndërmend të harxhoj asnjë qindarkë për shpenzime të kota. Thelbi i festës duhet të jetë koha e kaluar me njerëzit e dashur, dhe jo pjesa materiale.