Ja sa do të paguani nga ky muaj për taksën e banesës dhe bizesit, Kush përjashtohet..

609
0

Një taksë e re do t’ju vijë këtë muaj sëbashku më faturën e energjisë. Familjarët do të paguajnë 0.05% të vlerës së banesës së tyre në vit, një shumë që do të shpërndahet çdo muaj tek fatura e OSHEE. Ndërsa për bizneset kjo taksë do të jetë 0.2% e vlerës së ambientit ku ushtrojnë aktivitet dhe do të mblidhet nga nëpunësit tatimorë të pushtetit vendor. Qeveria ka përjashtuar nga pagesa e kësaj takse vetëm dy kategori, kryefamiljarët pensionistë dhe familjet me ndihmë ekonomike.

Këtë vit, taksimi do të fillojë me ndërtesat, ndërkohë që toka bujqësore dhe toka truall do të taksohet me modelin e vjetër. Taksën për ndërtesën duhet ta paguajnë individët, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë të pasurive të paluajtshme, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave.
Ndërkohë, bashkitë kanë në dorë që të ulin me 30-35% vlerën e taksës së pronës, e cila nga 1 prilli hyri në fuqi me formulën e re, atë të përllogaritjes mbi bazën e vlerës së tregut dhe jo mbi sipërfaqe siç ka qenë deri më parë. Kjo, duke u nisur edhe nga pozicioni edhe nga largësia.

Edhe pse formula e matjes do të ndryshojë, jo të gjithë do të paguajnë taksën e pronës. Qeveria ka menduar të përjashtojë kategoritë e personave në nevojë.

Kështu, kryefamiljarët pensionistë në qytet apo fshat, kur jetojnë vetëm nuk do të paguajnë taksën e banesës.

Edhe ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përjashtohen nga taksa, ashtu si ndërtesat e banimit që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara dhe banesat sociale në pronësi të bashkive.

Më pas, në listën e përjashtimit, të përcaktuar në ligjin e miratuar në nëntor të vitit 2017, janë të gjitha pronat shtetërore që përdoren për qëllime jofitimprurëse, pasuritë shtetërore nën administrimin e shoqërive publike shtetërore, ndërtesat e komuniteteve fetare në funksion të veprimtarisë së tyre, si dhe objektet e kulturës.

Qeveria ka menduar të përjashtojë nga taksa e pronës edhe hotelet/resortet me 4 dhe 5 yje, që marrin “status special” po me vendim qeverie. Kjo masë, sipas saj është marrë për të stimuluar sektorin e turizmit.