Ja për sa muaj jeni të mbrojtur nëse e keni kaluar Covid-19

603
0

Që nga fillimi i pandemisë, njerëzit vazhdon t’i shoqëroj pyetja: Sa do më zgjasë imuniteti pasi kam kaluar SarsCov2? Në fakt për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, shkencëtarët, imunologët dhe ekspertët e tjerë të shëndetit janë vënë në lëvizje duke kryer studime nga më të ndryshmet.

Ajo që studimet kanë treguar në më të shumtën e rasteve, është se personat që e kanë kaluar Covid-19 janë imun, por sa zgjat kjo kohë ende nuk dihet më saktësi. 

Riinfektime ka pasur edhe në vendin tonë dhe kjo është konfirmuar nga vetë autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik, të cilat në fillim të dhjetorit do të deklaronin se zyrtarisht ka pasur katër raste, ku dy prej tyre janë personel shëndetësor dhe këto kanë qenë raste përtej tre muajve që nga hera e parë që kanë kaluar Covid-19.

 Mes  këtyre rasteve të riinfektuara, ka pasur pacientë që e kanë kaluar në formë të lehtë, por ka dhe nga ata që për herë të dytë kanë kaluar një formë agresive të sëmundjes.

Aldi Pupuleku, imunolog shqiptar, i cili punon në Spanjë tha në “Wake Up” se ajo çka dihet deri më tani është se personat që e kanë kaluar Covid-19 janë të mbrojtur nga 8 muaj deri në një vit.

“Duke pasur parasysh faktin që kemi një vit që përballemi me këtë virus, normalisht ajo që dimë është ajo që ka ndodhur gjatë këtij viti.

Hulumtimet e fundit tregojnë se sistemi imunitar ose mbrojtja imunitare si përgjigje ndaj këtij infektimi mund të zgjasë nga 8 muaj deri në një vit, por jemi të limituar, pasi kemi vetëm një vit që përballemi me këtë virus.

Të gjithë ne jemi të ndryshëm. Ka pasur një hulumtim të publikuar së fundmi që tregon edhe variabilitete në gjene të caktuara që kodifikojnë për receptorë të qelizave të sistemit imunitar mund të determinojnë nëse një person e kalon infektimin me simptoma të lehta ose të rënda.

Ajo që dimë aktualisht është se antitrupat janë një pjesë shumë e rëndësishme e sistemit imunitar”, sqaroi ai.