Moti i keq në Itali, Mbrojtja Civile thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi

73
0

Mbrojtja Civile e Italisë është në gatishmëri në nëntë rajone të vendit për shkak të motit të keq. Rajonet që janë më të prekura nga moti ekstrem në këto momente janë Napoli, Ankona, Bari dhe Bolonja.

Sipas parashikimeve të motit, temperaturat e ulëta, bora dhe shiu do të vazhdojnë në pjesën më të madhe të vendit deri në fund të javës.

Në rajonin Marche, ku u raportuan përmbytjet më vdekjeprurëse shtatorin e kaluar, autoritetet po monitorojnë vazhdimisht nivelet e lumenjve, ndërsa në ishullin e vogël Ischia, ku ndodhën rrëshqitjet vdekjeprurëse të dheut nëntorin e kaluar, 400 persona u evakuuan nga shtëpitë e tyre si masë paraprake.

Në L’Aquila, në Italinë qendrore, shkollat ​​ mbetën të mbyllura dhe kryebashkiaku u kërkoi qytetarëve që të kufizojnë rreptësisht përdorimin e makinave të tyre.

Që nga dita e djeshme ka rënë borë edhe në Siçili – konkretisht në Sirakuzë,  ku në vitin 2022 janë regjistruar temperaturat më të larta në të gjithë Europën.