Moti i ngrohtë përgjatë këtyre dy muajve ka ngritur shqetësimet se Italia mund të përballet me një thatësirë tjetër, më e rëndë se ajo e verës së vitit të kaluar.
Alpet aktualisht kanë regjistruar më pak se gjysmën e reshjeve të tyre normale të borës, sipas shkencëtarëve dhe grupeve mjedisore.
Paralajmërimi vjen pasi Venecia, ku përmbytjet janë zakonisht shqetësimi kryesor, përballet me baticë jashtëzakonisht të ulët që po e bëjnë të pamundur për gondolat, taksitë e ujit dhe ambulancat të lundrojnë në disa nga kanalet e saj të famshme.
Sipas asaj që raporton Reuters këto probleme vijnë për disa faktorë si mungesa e shiut, një sistem presioni të lartë dhe rrymat detare. Lumenjtë dhe liqenet italianë po vuajnë nga mungesa e madhe e ujit, kryesisht në veri të vendit. Po, lumi më i gjatë i Italisë, i cili rrjedh nga Alpet në veriperëndim deri në Adriatik, ka 61% më pak ujë se normalja në këtë periudhë të vitit.
Korrikun e kaluar, Italia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në zonat përreth Po, e cila përbën afërsisht një të tretën e prodhimit bujqësor të vendit dhe pësoi thatësirën më të keqe në 70 vjet.
“Ne jemi në një situatë deficiti uji që është krijuar që nga dimri i 2020-2021. Na duhen 50 ditë shinë rajonet veriperëndimore”, shprehen ekspertët.
Nivelet e ujit në liqenin Garda në Italinë veriore kanë rënë në nivele të ulëta rekord. Një anticiklon ka mbizotëruar në Evropën Perëndimore prej 15 ditësh, duke sjellë temperatura të ulëta që zakonisht regjistrohen në fund të pranverës.