Italia me probleme të mëdha ekonomike, ja cfarë po ndodh së fundmi

170
0

Inflacioni, recesioni i afërt dhe faturat jashtëzakonisht të larta të energjisë janë ndër problemet ekonomike që pritet të përballet kryeministri i ardhshëm i Italisë.

Në qytetin italian të Ternit rreth 24.5% e 16,000 firmave që ndodhen aktualisht aty janë në rrezik falimentimi. Gjendja ekonomike e 106,000 banorëve të këtij qyteti ka qenë e lidhur me Acciai Speciali Terni, një nga fabrikat më të mëdha të çelikut në vend. Javën e kaluar  u pushuan qindra punonjës .

 “Mbetem të surprizuar sepse supozohej se do të ishte një ditë normale pune dhe na u njoftua se 400 punonjës do të shkonin në shtëpi. Nuk është një situatë e mirë”, ka thënë një ish-punonjës Jacopo Calabresi.

Sipas agjencisë së statistikave ISTAT  numri i kontratave të përkohshme gjatë muajit Korrik ishte në nivelin më të lartë që nga 2019.

Davide Perissinotto i cili ka 35 vite që përshkon kanalet veneciane me varkën e tij, duke furnizuar qytetin lagunor të Venecias, dhe në veçanti qendrën historike, me produkte ushqimore shprehet i shqetësuar për  atë që do të vijë.

”Jam shumë i shqetësuar sidomos për të rinjtë, sepse për mendimin tim ata do të kenë një të ardhme të keqe nëse diçka nuk ndryshon”, ka thënë varkëtariDavide Perissinotto.

Ndërsa të tjerë mendojnë  se koha po mbaron për kompanitë e vogla.

“Fatkeqësisht, nuk ka kohë për të pritur një qeveri të re, sepse një qeveri e re nuk do të marrë detyrën deri në mes të nëntorit, dhe për shumë nga fabrikat tona, do të ishte tepër vonë. Axhenda politike duhet të fillojë tani sepse qeveria jonë aktuale mund të beje me lehtësi ligje ose te beje te funksionojnë ato ekzistues”, ka thënë pronari i’Ceramiche Noi’ Marco Brozzi

Nëse sondazhet rezultojnë të sakta, pas të dielës të gjitha këto do të bien mbi Giorgia Melonit, lideren e partisë Vëllezërit e Italisë, e cila duket se do të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë. Klan News