Italia fut Shqipërinë në listën gri

2915
0

Pas DASH-it, një tjetër raport me natyrë ekonomike ka shprehur vlerësime të ulëta për Shqipërinë. Fjala është për autoritetet financiare italiane, të cilat e rendisin vendin tonë në listën gri, ku grumbullohen shtetet që kanë mangësi në luftën kundër pastrimit të parave. Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, drejt Shqipëri ka patur 4.3 milionë euro transferta të dyshimta.

Njësia e informacionit Financiar të Bankës së Italisë e klasifikon Shqipërinë në listën gri të vendeve me mangësi strategjike në luftën kundër pastrimit të parave.

Ky vlerësim bazohet në raportin më të fundit të publikuar nga Task Forca për Veprime Financiare.

Monitorimi i këtyre dy autoriteteve gjatë periudhës kohore shkurt 2021 deri në fund të muajit qershor 2021, ka renditur Shqipërinë përkrah vendeve si Barbados, Haiti. Xhamajka, etj.

Për këtë rekomandohet që qeveria të hartojë një plan që të sistemohen mangësitë.

Kjo synohet të bëhet duke reduktuar ekonominë informale si dhe përmes regjistrimit të të gjitha pasurive të paluajtshme, që konsiderohet si sektori kryesor i pastrimit të parave në Shqipëri.

Autoritetet italiane sugjerojnë gjithashtu vendosjen e mekanizmave më efikasë për të zbuluar e parandaluar kriminelët që përfshihen në aktivitete financiare.

Një tjetër faktor shqetësues i evidentuar është edhe numri i lartë i transaksioneve për financim aktivitetesh të paligjshme. Vendi ynë regjistron shifra të konsiderueshme transfertash të dyshimta edhe nëpërmjet mekanizmave të ligjshëm.

Vetëm nga platformat money transfer, drejt Shqipërisë janë dërguar 4.3 milionë euro. Kjo e vendos Shqipërinë në vendin e katërt të listës, pas Senegalit me 7.9 milionë euro, Rumanisë me 6.8 milionë euro dhe Marokut me 4.36 milionë euro.