Italia do të heqë së shpejti kufizimet kundër pandemisë

256
0

Italia do të njoftojë së shpejti për heqje të kufizimeve për koronavirus, ka thënë të mërkurën kryeministri italian, Mario Draghi, teksa numri i rasteve të infektimit ka nisur të ulet.

Italia ka regjistruar më shumë se 147,000 viktima me koronavirus dhe 11.23 milionë raste të infektimit prej shpërthimit të pandemisë dy vjet më parë.

Shumë kufizime, përfshirë ato në transport dhe restorante tashmë janë lehtësuar për të vaksinuarit, derisa kufizimet e ashpra vazhdojnë të aplikohen për ata që nuk janë të imunizuar.

Vendosja e maskës është e detyrueshme në ambientet e jashtme, shkruan REL.

“Në javët në vijim ne do të vazhdojmë këtë rrugë të rihapjes. Duke u bazuar në të dhënat shkencore, ne do të njoftojmë për afatet e heqjes së kufizimeve aktuale”, ka thënë Draghi, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij.

Fushata shtetërore e vaksinimit konsiderohet e suksesshme, pasi më shumë se 80 për qind e njerëzve kanë marrë dy doza, dhe më shumë se 57 për qind kanë marrë një dozë përforcuese.

Draghi ka thënë se afati i pasaportës së vaksinës – që tregon se dikush është vaksinuar, apo është shëruar nga sëmundja – nuk do të ketë afat për ata që kanë marrë dozën e tretë.

Pasaporta e vaksinës është e domosdoshme për të marrë pjesë në shumicën e aktiviteteve në këtë shtet.

Qeveria ka marrë vendim të mërkurën që të lehtësojë masën e karantinës për nxënësit që janë të vaksinuar.