Italia ashpërson masat, “Green pass’’ me detyrim për të gjithë punonjësit

241
0

Qeveria italiane do të bëjë të detyrueshme certifikatën shëndetësore për të gjithë punonjësit, duke u bërë vendi i parë europian që ndërmerr një hap të tillë në përpjekjen për të përshpejtuar vaksinimin e për të frenuar pandeminë.

Nga 15 tetori, italianët duhet të dëshmojnë vaksinimin, test negativ, apo shërim nga sëmundja për të hyrë në vendet e punës, si në sektorin publik ashtu edhe privat. Për ata që prezantohen në punë pa certifikatën shëndetësore, parashikohen gjoba nga 400 deri në 1 mijë euro. Shkarkimi nuk do të jetë i mundur, por dot ketë pezullime dhe ngrirje të pagës. Masa nxiti reagime të ndryshme.

 “Sipas mendimit tim nuk është e drejtë, pasi unë jam një qytetar i lirë dhe mund të vendos vetë nëse e marr ose jo certifikatën e gjelbër”, u shpreh një qytetar.

E ashtuquajtura “green pass” u konceptua fillimisht si mënyrë për të lehtësuar udhëtimet mes shteteve të BE-së. Por italia është mes një grupi vendesh që e kanë bërë atë të detyrueshme për hyrjen në muze, kinema, palestra apo restorante.

Më vonë, e zgjeroi përdorimin e certifikatës edhe te mësuesit dhe stafi shëndetësor, pavarësisht ndasive lidhur më çështjen mes koalicionit të unitetit kombëtar, të drejtuar nga Dragi.

Rreth 73% e popullsisë prej 60 milionë banorësh në Itali kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa 65% janë imunizuar plotësisht.