Ish-kapiteni kuqezi heq dorë nga shtetësia shqiptare, bëhet gjerman

883
0

Lajmi se ish-futbollisti dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare, është konfirmuar nga një dekret i Presidentit Ilir Meta në të cilin thuhet se i lejohet lënia e shtetësisë shqiptare, me kërkesë të tij, Altin Dodë Lalës.

Ish-mesfushori Altin Lala, ka kaluar një nga periudhat më të sukseshme te ekipi i Hanover në Bundesligë dhe tani duket se ka zgjedhur të marrë edhe shtetësinë gjermane.

Ky shtet nuk lejon personat të kenë dyshtetësi dhe kjo është arsyeja që Lala ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare.

Vetëm pak ditë më parë ai ishte i pranishëm në stadiumin ‘Air Albania’ ku mori pjesë në ndeshjen e ‘yjeve’ që qëllim kishte bamirësinë për të prekurit nga tërmeti.

Altin Lala është 44 vjeç dhe në karrierën e tij ka veshur në plot 79 ndeshje fanellën e kombëtares, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.  

Për momentin Altin Lala është agjent futbollistësh, ndërsa vite më parë ka panuar edhe si zëvendëstrajner në ekipin kombëtar shqiptar, por edhe si trajneri i parë i Kombëtares U-19.