Intervista nga spitali i portierit të Partizanit: Ajo që është shkruar në media nuk është e vërtetë

1470
0

Rrëzimi nga pallati i futbollistit Aldo Teqja është shoqëruar me komente dhe reagime të shumta. Prej ditësh është folur se ai është vetëhedhur nga ballkoni, por prindërit e tij dhanë një tjetër version në një intervistë për emisionin “Procesi Sportiv”.

Sipas gazetarit të Top-Channel, 24-vjeçarit iu kërkua nga nëna e tij të rregullojë tendën në ballkon dhe për fatin e tij, në atë çaste ka ndodhur gjithçka. Tendat e kateve më poshtë, zona e lulishtes dhe mbi të gjitha fati i tij, bën që gjithçka të kalojë paq.

Babai i tij tha se gjithçka kishte qenë aksident dhe se ajo që është shkruar në media nuk është e vërtetë. Në krah të portierit 24-vjeçar në spital ndodhej edhe e fejuara e tij. Babai i Teqes tha se ajo dhe familiarët e saj i kanë qëndruar gjatë gjithë kohës pranë.

Vetë futbollisti tha pak fjalë duke u shprehur se ishte më mirë dhe se priste që shumë shpejt të kthehej në fushë. Portieri i “demave” shpëtoi për shkak të tendave të ballkoneve dhe rrëzimit në lulishten me bar. Edhe mjekët thanë se gjendja aktualisht është më e mirë, por ai do të mbahet nën mbikëqyrje.