Ai erdhi nga India për të shërbyer në një qendër në Tiranë, pa pasur asnjë informacion për Shqipërinë. Sot, pas më shumë se 20 vjetësh, ai jo vetëm që e flet rrjedhshëm shqipen, por ka krijuar familje këtu dhe ndihet si në shtëpinë e tij. Historia e tij është një shembull i rrallë i përkushtimit, integrimit dhe dashurisë për kulturën shqiptare.
“Kur më thanë se do të vija në Shqipëri, nuk dija asgjë për vendin,” – rrëfen ai. “Është injoranca ime, e pranoj. Dija më shumë për Jugosllavinë, sepse e kemi studiuar në Indi, por jo për Shqipërinë. Menjëherë hapa Google dhe fillova të informohesha.”
“Kodrat e Tiranës më kujtuan veriun e Indisë”
Ndjesia e parë kur zbriti në Tiranë ishte e veçantë: “Kodrat përreth më kujtonin shumë veriun e Indisë, për shkak të relievit. Por problemi më i madh ishte gjuha. Flisja anglisht, por në atë kohë shumë pak njerëz e flisnin.”
Pikërisht për këtë arsye, vendosi të mësonte gjuhën: “U regjistrova në universitet për Gjuhë-Letërsi dhe e përfundova këtu si student i rregullt. Madje vazhdova edhe masterin në Gjuhësi Historike.”
“Vendosa të qëndroj këtu”
Pas diplomimit, vendosi të qëndrojë në Shqipëri dhe vazhdoi punën në të njëjtën shoqatë ku kishte filluar. “Kanë kaluar rreth 18-19 vite. Kam qëndruar pak edhe në Kosovë dhe jashtë vendit, por kryesisht kam jetuar në Shqipëri dhe në trojet shqiptare.”
Çfarë e tërheq më shumë te shqiptarët?
“Gjuha më tërheq shumë, veçanërisht dialektet. Kam studiuar dhe analizuar të folmet e ndryshme nga qytete të ndryshme. Por mbi të gjitha, ajo që më ka prekur më shumë është mikpritja shqiptare. Është një ngrohtësi që ta ndjen zemra. Nuk e them për të bërë qejf, por është realiteti. E ndjen sidomos kur je i huaj. Të bën të qëndrosh.”
“Nuk ka vend tjetër si Shqipëria për mikpritje”
Ai sjell edhe një krahasim me përvojat në vende të tjera: “Jam kthyer nga Siria, pas një periudhe 13-vjeçare lufte civile. Edhe atje mikpritja ishte e jashtëzakonshme. Por shqiptarët kanë një dashuri të veçantë për të huajt. Ndoshta edhe më të fortë në zonat malore, ku mikpritja është traditë.”
Ai tregon një episod të bukur nga komuniteti shqiptar në Siri: “Ishin larguar nga Shqipëria 150 vjet më parë dhe ende ruanin traditën. Thonin: ‘Nëse nuk e pi kafenë në shtëpi, nuk quhet që të kemi pritur.’”
“Nuk ka asgjë që nuk më pëlqen te shqiptarët”
Kur e pyesin çfarë nuk i pëlqen te shqiptarët, ai përgjigjet me sinqeritet: “Sinqerisht, nuk kam gojë të them që nuk më pëlqen diçka. Më pëlqen gjithçka këtu.”
Nga kuzhina indiane tek dashuria për kuzhinën mesdhetare
Ai pranon se fillimisht ka pasur vështirësi me kuzhinën shqiptare, për shkak të ndryshimit me atë indiane, por me kohën u përshtat: “Tani më pëlqen shumë. Jo vetëm mua, por edhe fëmijëve të mi. Është një kuzhinë e pasur, e shëndetshme dhe e shijshme. Pjata ime e preferuar është peshku, natyrisht me vaj ulliri dhe bulmet, siç e përgatisin shqiptarët.”
“Kur më pyesin për Shqipërinë në Indi, u them: bukë, kripë dhe zemër të bardhë”
“U them gjithmonë se për të pritur një mik në Shqipëri duhen vetëm tri gjëra: bukë, kripë dhe zemër e bardhë. Dhe ata habiten kur e dëgjojnë këtë shprehje.”
“Fëmijët e mi janë shqiptarë”
Sot ai është baba i dy fëmijëve: një djali 14-vjeçar dhe një vajze 8-vjeçare. “Të dy flasin më mirë se unë shqip, shkojnë në shkolla shqiptare. Kanë pasaportë shqiptare dhe janë rritur si shqiptarë.”
“Kam 22 vjet këtu, tani jam edhe vetë shqiptar”
Pas më shumë se dy dekadash, ai është bërë pjesë e pandashme e realitetit shqiptar. “Tani jam edhe vetë shqiptar, edhe me pasaportë. Kam kaluar më shumë vite këtu sesa në Itali. Shqipëria është shtëpia ime.”