I KISHTE MBETUR PENG PËR 25 VITE! I BEN NJË SURPRIZË FAMILJES QË E NDIHMOI KUR ISHTE EMIGRANT

522
0

“Ka një mesazh për ty” te “E diela shqiptare”, sot nuk nisi sipas formulës së zakonshme. Të parët që erdhën në studio ishin Safeti dhe Kujtimja, një çift shqiptarësh që jetojnë në Strugë të Maqedonisë.

Ata u ftuan në studio, pasi miku i tyre i vjetër Xhevahiri do t’ju bënte një surprizë. Puntata e parë mban skena plot emocione dhe të qeshura. Mikpritja, mirënjohja dhe ndershmëria janë baza mbi të cilat është ndërtuar miqësia e protagonistëve të kësaj të diele, të cilët përcollën një mesazh të shumë të vlefshëm për të gjithë.

Xhevahiri: Unë jam Xhevahiri, nga Librazhdi. Jetoj në Patra të Greqisë. Si gjithë shqiptarët edhe unë u mundova të ikja në Itali kur u hapën kufijtë, por nuk arrita dot. Meqë unë kisha bërë ushtrinë në kufi me Maqedoninë, ish-Jugosllavia në atë kohë, edhe gjatë shërbimit ushtarak kisha zbuluar nga hartat që mbajnë oficerët se në Maqedoni, në fshatrat e Strugës, kishte shqiptarë. Bashkë me shokë të tjerë, i mora, kalojmë kufirin, për të shkuar në Strugë.

Të gjithë emigrantët kalonin pranë rrugës ku banonte familja Polisi. I zoti i shtëpisë ishte një pensionist që kishte punuar emigrant në Gjermani. Meqë kishte punuar emigrant dhe ishte shumë merakli, donte të ndihmonte. Ai zinte pritë dhe në vendin ku kalonin emigrantë shqiptarë ju jepte të gjithëve bukë dhe djathë. Ai kishte punuar emigrant dhe i dhimbte shpirti për emigrantët.

Të gjithë kalonin në rresht dhe ai u jepte të gjithëve nga pak bukë. Mirëpo unë mora një herë pastaj ndërrova bluzën edhe u futa prapë në rresht për të marrë prapë bukë pasi nuk më dilte. Ai më pa, dyshoi por nuk më tha gjë.

Unë e përsërita prapë këtë gjë, herën e tretë unë vura kapele. Ai e vuri re dhe më tha të qëndroja aty. Ai më pa si një njeri të shkathët dhe vendosi të më mbante në punë mua, në shtëpi.

Më tha mua: e çon traktorin? E çoj i thashë.

Do punosh tek unë më tha. Gjatë kohës që unë punoja aty, djali i vogël Safeti punonte në Gjermani. Dhe kur erdhi më ka sjellë një kuti me rroba, për mua, sepse unë tashmë isha kthyer në një pjesëtar të familjes. Kur u ktheva në fshat, vesha njërin nga xhupat që më kishin dhënë Safeti dhe nusja e tij, Kujtimja. Aty gjeta një unazë mirëpo unë nuk ia dija vlerën e floririt kështu që e shita me pak lek.

Më vonë kur u ktheva të shtëpia e tyre për të punuar, dëgjoja që çifti po debatonte për unazën. U ndjeva shumë keq, por nuk munda t’u tregoja që e kisha shitur unazën.

Xhevahiri ka jetuar për shumë vite me këtë brengë. Ai ka ardhur në studion e së “Dielës Shqiptare”, jo vetëm për t’i shprehur publikisht mirënjohjen familjes Polisi por mbi të gjitha për të kërkuar falje për gabimin e bërë si edhe për t’ju sjellë atyre një unazë tjetër.

Në ekranin e murit ndarës shfaqet çifti të cilët dëgjuan të gjithë rrëfimin e bërë nga Xhevahiri.

Xhevahiri: Safet të kam thirrur ty sepse ishe më i afërt nga të gjithë me mua. Edhe pse në fillim kemi qenë “kundërshtarë politikë” bashkë. Unë ju falënderoj familjarisht për respektin dhe bukën që më keni dhënë. Në xhepin e xhupit të bukur që më dhe, siç edhe e dëgjuat, kam gjetur një unazë. Unë kam përpjekur në shumë mënyra për ta kompensuar gabimin e bërë, por sot ju kam sjellë një unazë.

Safeti: Unë e kam harruar fare atë unazë. Kjo ngjarje nuk ka ndikuar aspak në marrëdhënien tonë si çift. Ne kemi më shumë se 25 vite bashkë dhe kemi 3 fëmijë të mrekullueshëm. Unë kam shëtitur shumë në Europë dhe kudo dhe kam bërë shumë miq. Xhevahiri është një mik i palodhur, ai vjen te ne në çdo rast, merr pjesë në çdo festë edhe pse jeton larg. Ai nuk harron asnjë ditë të shënuar për ne, udhëton nga Patra për të qënë i pranishëm në gëzimet tona. Xhevahiri ka qenë pjesë e familjes dhe do të ngelet gjithmonë i tillë.

Xhevahiri: Unë të falënderoj Safet dhe të jam mirënjohës. Tani e tutje unë jam shumë i qetë.

Mes të qeshurash dhe humorit, drejtuesi i programit Gjebrea fton Xhevahirin t’ju japë unazën çiftit. Ashtu siç është bërë traditë, në fund miqtë shkëmbejnë përqafime me njëri tjetrin./tvklan.al