Sancto Lucio de Coumboscuro është një fshat i izoluar thuajse në çdo kuptim. I ndodhur midis Italisë dhe Francës, gjuha e tij zyrtare është ajo provansale, një dialekt i lashtë mesjetar neolatin i oksitanishtes. Jo më shumë se 30 njerëz jetojnë në fshat, dhe kryesisht janë familje barinjsh, jeta e të cilëve nuk është aspak e lehtë. Energjia elektrike shpesh mungon për javë të tëra gjatë dimrit, ndërsa lidhja me internetin është minimale. Në fshat mungojnë baret, supermarketet, restorantet, por shpesh banorët organizojnë aktivitete të ndryshme folklorike.
Banorët më të rinj të fshatit zakonisht largohen nga vendlindja e tyre në kërkim të një të ardhmeje më të mirë në qytete të mëdha, mirëpo mes tyre ka dhe nga ata të rinj që kanë zgjedhur të qëndrojnë dhe të punojnë në tokën e të parëve të tyre.
“Vizitorët janë të mirëpritur të vijnë të qëndrojnë me ne, pasi ne kemi nevojë për njerëz që të zbulojnë botën tonë, kemi kaq shumë trashëgimi për të ndarë”, thotë Garrone, një nga të rejat e fshatit. Si gjuhën e saj amtare, ajo konsideron gjuhën provansale dhe jo italishten, ndonëse gjuha provansale shihet si një përzierje midis frëngjishtes dhe italishtes. Ajo shpjegon se të qenit pjesë e një bashkësie socio-kulturore dhe gjuhësore që është trashëguar ndër shekuj, i jep asaj një ndjenjë të fortë identiteti etnik.
Zona e rajonit të Piemontes ku ndodhet Coumboscuro ka kaluar midis sundimit italian dhe francez disa herë në histori, gjë që shpjegon pse vendasit nuk ndjehen as italianë dhe as francezë, por thjesht provansalë. Në vitet 1950, gjuha vendase nisi të mësohej në shkolla, duke i dhënë komunitetit më shumë mundësi për ta ruajtur dhe trashëguar atë.
Pas fushatave ndërgjegjësuese nga komuniteti lokal, Italia njohu zyrtarisht ekzistencën e pakicës oksitone në vitin 1999, dhe provansalishtja si gjuhë mbrohet tashmë nga ligji kombëtar. Sidoqoftë, gjuha provansale mbetet një gjuhë e rrezikuar dhe u fut në Atlasin e Gjuhëve Botërore në Rrezik nga UNESCO në vitin 2010. a2cnn