Një person i zhdukur prej vitit 1997 është gjetur së fundmi nga autoritetet policore në Florida brenda një makine të zhytur në fund të një pellgu.
Për gjetjen e trupit kësaj radhe erdhën në ndihmë disa foto të shkrepura rreth 10 vjet më parë në Google Earth. Sipas policisë, viktima është identifikuar si William Moldt, i cili ishte i shpallur i zhdukur prej më shumë se 20 vitesh.
Menaxheri i një agjencie për pronat e paluajtshme në Grand Isles ishte duke parë disa foto të vjetra të zonës në Google Earth dhe vuri re një makinë të zhytur në një pellg, shumë pranë zonës së ndërtuar. Menjëherë ai njoftoi autoritetet policore.
Zyra e Sherifit të Palm Beach njofton se makina e gjetur ishte e ndryshkur gjë që tregon se ajo ka qëndruar në ujë për një kohë shumë të gjatë. Efektivë tërhoqën mjetin nga uji dhe brenda tij gjetën dhe skeletin që më pas u identifikua se i përkiste William Moldt. Në kohën kur Moldt është zhdukur, projekti i pasurive të paluajtshme “The Grand Isles” ishte ende në ndërtim.