31-vjeçari, Gert Shehu i cili sulmoi kreun e PD, Sali Berisha ka dhënë deklarime kontradiktore përpara oficerëve të policisë lidhur me arsyet që e shtynë atë për të ndërmarrë aktin e paprecedentë. Në njërën nga deklaratat, ai shprehet se kishte inat personal. Në të tjera mësohet se nuk ka dhënë arsye.
Por për shkak të paqëndrueshmërisë në deklarime, prokurori i çështjes ka kërkuar ekspertim psikologjik të të riut. Aktualisht 31-vjeçari vijon të mbahet në Spitalin e Traumës, aty ku dhe u prangos pasi iu komunikua akuza e ‘Goditjes për shkak të detyrës’.
Për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, Policia ka marrë në pyetje të ëmën e 31 vjeçarit, e cila përpara grupit të hetimit ka pohuar se i biri saj ka shfaqur herë pas here probleme të shëndetit mendor. Gjithashtu nga ana e uniformave blu është krijuar një itinerari i lëvizjeve të kryera nga i riu përpara se të sulmonte ish-Kryeministrin, Berisha.
Një xhami në afërsi të zonës së njohur si Ura e Tabakëve ka qenë vendi i fundit ku është fiksuar nga kamerat, sic e shihni dhe në këto pamje.
Gazetari Merin Maçi: Kjo është banesa ku jetonte 31-vjeçari, Gert Shehu së bashku me nënën e tij në zonën e Urës së Tabakëve. Jashtë kamerave, fqinjët e tregojnë atë si person jo problematik por evidentojnë shqetësimet e herë pas hershme që ai shfaqte si pasojë e shëndetit mendor.
Një prej banorëve të lagjes ku banon 31-vjeçari, tregon se i riu ishte tepër i mbyllur, teksa shton se shpesh herë ai konsumonte lëndë narkotike.
Banori: E merrte policia, për pirje, për lëndë narkotike, ishin këto gjërat e vogla, sherret. Nuk ka qenë agresiv. Punonte 1 javë, 2 javë e pasatj e linte punën. Qëndronte i vetëm.
Kohët e fundit, i riu ka punuar dhe si shpërndarës picash në një piceri fare pranë banesës së tij. Pronari i picerisë pohoi jashtë kamerave se Gert Shehu ka qëndruar në punë vetëm 3-4 ditë e më pas është larguar.