I futi 20 euro mes pasaportës, polici i vë prangat emigrantit që donte të kalonte kufirin

1288
0

Një 28-vjeçar me iniciale J.X. është arrestuar nga policia pasi gjatë kontrollit në pikën kufitare të Kapshticës, ka tentuar të korruptojë efektivin. Pasi ai i ka kërkuar pasaportën, 28-vjeçari ia ka dhënë bashkë me 20 euro me qëllim për të shmangur kontrollin dhe përshpejtimin e procedurave.

“Vijojnë kontrollet e detajuara për goditjen e paligjshmërisë.  Goditet një rast i korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Punonjësit e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, gjatë kryerjes së proceduarave të regjistrimit të shtetasve që kalojnë kufirin, kanë goditur një rast të korrupsionit. Shtetasi J. X., 28 vjeç, banues në Elbasan, gjatë kryerjes së procedurave të regjistrimit në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në momentin kur punonjësi i Policisë i ka kërkuar pasaportën, ai ia ka dhënë atë, me një kartëmonedhë të prerjes 20 euro në brendësi të saj, me qëllim përshpejtimin dhe shmangien e procedurave të kontrollit të dokumentacionit për kalimin drejt tokës shqiptare, pasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbër.

Specialistët për Hetimin e Krimit Financiar-Ekonomik pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë kanë shoqëruar shtetasin J. X., 28 vjeç, banues në Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.