I dha çelësat e shtëpisë shokut, i riu nuk u beson syve kur kthehet në banesë

103
0

Një 24-vjeçar me emrin R.L nga Velipoja do të gjykohet në gjykatën e Tiranës për akuzën e vjedhjes, katër muaj pas denoncimit të shokut të tij. D. Qoli i tha policisë se një ditë i pandehuri i kishte kërkuar çelësin e shtëpisë. “E kam shok dhe më tha që në shtëpinë ku ai jeton me qira kishte njerëz. Më kërkoi çelësin sa të hante bukë e të pushonte”. Por pas bujarisë së shokut, 24-vjeçari është zhdukur bashkë me çelësin.

Ndonëse kallëzuesi e ka telefonuar shpesh, i akuzuari justifikohej se gjendej në Kombinat dhe se do vonohej. Në këto kushte duke qenë se nuk kishte ku të qëndronte, Doriani, e ka hapur derën e shtëpisë me forcë.

Panorama që i shfaqur para syve ishin dhomat e boshatisura. Në shtëpi mungonin orenditë, mes tyre lavatriçja, frigoriferi dhe soba me korrent. Siç përmendet në kërkesën për gjykim, Doriani e ka telefonuar i shqetësuar shokun e tij duke e pyetur për orenditë, por ka marrë si përgjigje “Do t’i sjell, qetësohu”.

Policia ka shpallur më pas në kërkim të riun, ndërsa babai i tij është përpjekur ta zgjidhë çështjen duke fshehur gabimin e të birit. A. Leka ka kryer sakaq një hetim paralel për të birin dhe ka zbuluar se ai i kishte vjedhur pajisjet elektroshtëpiake për t’i lënë peng në një dyqan, pasi pronarit i kishte një borxh.

I ati thotë në dosjen hetimore kur policia e pyet se si i gjeti pajisjet që kishte “rrëmbyer” Roberti dhe si i kishte marrë për t’ia kthyer të zotit?

A. Leka: U përpoqa dhe arrita të flas në telefon me tim bir. E pyeta ku gjendej dhe më tha në Sarandë kam gjetur punë të re. Pastaj më tregoi se kishte marrë një borxh prej 200 mijë lekë tek një dyqan tek Pazari i Ri dhe se derisa ta shlyente borxhin ishte detyruar të merrte orenditë e shokut duke i lënë peng.

I gjeta 200 mijë lekë dhe i çova menjëherë tek dyqani i pengjeve dhe mora orenditë duke ia kthyer pas shokut të djalit. I kërkoj falje Dorianit, të cilit edhe djali i ka kërkuar falje dhe lutem që im bir mos t’i përsërisë më gabime të tilla.

Por pavarësisht gjestit të të moshuarit, prokuroria e konsideron babain e Robertit thjesht si dëshmitar. Fati i 24-vjeçarit u caktua nga një ekspert i kërkuar nga hetuesit, i cili vlerësoi dëmin dhe konkludoi që orenditë e vjedhura (që më pas u kthyen nga babai) kanë vlerën e 90 mijë lekëve.

Ky fakt juridiko penal sipas prokurorisë parashikohet si vjedhje, një vepër që dënohet me gjobë ose me bùrgim deri në tre vjet. Këto të dhëna iu përcollën për gjykim të mëtejshëm gjykatës së Tiranës, që do ta gjykojë si hajdut, ndonëse në fakt ai i ktheu pas të gjitha pajisjet.