Hyjnë në fuqi kufizimet e reja, këto janë masat e reja që do të zgjasin 14 ditë

438
0

Pak ore më parë ka hyrë në fuqi vendimi i marrë nga ministria e Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjes nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të ditës së nesërme.

Vendimi u njoftua ditën e djeshme nga ministrja Ogerta Manastirliu, ndërkohë që do të ndalohet edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve në të njëjtin orar, me përjashtim të shërbimit “delivery”.

Masat do të jenë në fuqi për dy javë deri në 25 shkurt, ndërkohë që më pas do të vendoset në bazë të numrit të infektimeve që do të regjistrohen në Shqipëri.

Masat e reja

– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.

– Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.