Humbi zgjedhjet përballë Veliajt, reagon për herë të parë Këlliçi

162
0

Belind Këlliçi, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i cili humbi përballë Erion Veliajt në zgjedhjet lokale të 14 majit, ka reaguar për herë të parë. Ai u shpreh se rezultati nuk pasqyron realitetin, ndërsa theksoi se do të faktohet çdo shkelje.

“Jam këtu për të falënderuar mbi 100 mijë qytetarë që besuan dhe votuan ndryshimin në Tiranë.

Rezultati i zgjedhjeve të 14 majit, për fat të keq, nuk pasqyron realitetin dhe nuk është një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve. Ky rezultat, është i ndikuar nga një makineri shantazhi dhe dhunë ndaj administratës. Asetet publike janë vënë në dispozicion për të prodhuar këtë rezultat të sotëm. Ne po punojmë për të përgatitur dokumentacionin e plotë e për të faktuar çdo shkelje që është kryer”, tha Këlliçi.

Belind Këlliçi u shpreh më tej se rezultati nuk i përgjigjet asaj se çfarë njerëzit, qytetarët mendojnë për kryebashkiakun aktual. “Kjo është lehtësisht e verifikueshme kudo, në çdo cep të Tiranës, në qytet apo fshat. Unë u paraqita në këto zgjedhje në rrethana aspak normale, si të gjithë kandidatët e opozitës. Isha plotësisht i vetëdijshëm për pjesëmarrjen në garën elektorale më të pabarabartë të këtyre 33 viteve, e megjithatë sërish zgjodha të dal para qytetarëve me një program konkret, të detajuar dhe me një platformë e cila vuri në qendër nevojat e qytetarëve dhe që ofronte zgjidhje reale për shqetësimet e përditshme.

Megjithatë, kjo nuk mjaftoi. Banorët dhe votuesit e Tiranës nuk reaguan në atë shkallë që ta mposhtnin mekanizmin e kundërshtarit që është i bazuar në presion, joshje, intimidim, para korrupsioni dhe në propagandë”.

Më tej, ai tha se do të ketë edhe reflektim. “Unë e kam lexuar shumë mirë këtë fakt. Shoqëria jonë mesa duket kërkon diçka ndryshe dhe pret më shumë prej nesh. Të gjithë ne duhet të reflektojmë rreth kësaj që ka ndodhur dhe unë sigurisht duhet ta bëj i pari.

Kjo nuk do të thotë se do tërhiqemi, përkundrazi, duhet që të gjithë bashkë të bëjmë shumë më shumë se kaq. Por së pari duhet të kërkojmë brenda nesh, për të kuptuar saktë dhe analizuar me ftohtësi se çfarë publiku, opinioni, banorët dhe votuesit kërkojnë prej nesh”.