Humbi jetën ditën e parë të punës, tragjedia e 18-vjeçarit Samuel Tafçiu në Itali: Sapo ishte bërë baba

697
0

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur disa ditë më parë në Itali. Në Ercolano, një provincë e Napolit, pati një shpërthim të fuqishëm më 18 Nëntor. Për pasojë humbën jetën tre persona. Viktimat janë shqiptari 18-vjeçar Samuel Tafçiu dhe motrat binjake italiane 26-vjeçare, Sara dhe Aurora Esposito.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane tre të rinjtë e kishin ditën e tyre të parë të punës në një ndërtesë që përdorej si fabrikë fishekzjarrësh, por që ishte e paligjshme. Ata punonin aty për 20 euro në ditë.

Pronari i pronës e kishte regjistruar atë në emër të vajzës 13-vjeçare. Ai po hetohet për vrasje të shumëfishtë, vrasje pa dashje dhe posedim të paligjshëm të materialeve shpërthyese.

Dy motrat binjake dhe në mes Samuel Tafçiu

Dy vajzat jetonin në Marigliano dhe ishin rritur pa baba. Aurora, shkruajnë mediat, ishte nënë e një vajze 5-vjeçare. Po e rëndë është tragjedia edhe për familjen e Tafçiut. Ai sapo ishte bërë baba i një vajze katër muajshe. I riu po përpiqej që të bënte para dhe kishte punuar si punëtor magazine për tre muaj, por nuk ishte paguar. Ai nisi të punonte në fabrikën e paligjshme pasi e dërgoi atje një mik.

“Më jepni një armë që të qëlloj veten. Për çfarë më duhet më jeta”. Këto ishin fjalët e babait të Samuelit, drejtuar karabinierëve pasi mori vesh që djali i tij ndërroi jetë në fabrikë.

Prej disa kohësh Samuel Tafçiu kishte jetuar në shtëpinë e familjes së të dashurës së tij 17-vjeçare, me të cilën kishte vajzën.

“Ai jetonte për mua dhe vajzën. Donte që të ishim bashkë. Donte të blinte një shtëpi jashtë Napolit dhe të shkonim në një udhëtim. Po mendonim për martesën dhe për pagëzimin e vajzës. Ishte djali më i dashur në botë”, tregoi ajo me zërin që i dridhej dhe lotët që i rridhnin nga sytë.

“Burri im vdiq për një grusht me qindarka. Kishte 10 vjet në Itali dhe kërkonte gjithmonë për punë të ndershme. Pranoi të punonte ilegalisht sepse kishim nevojë, për hir të vajzës. Ata e vranë në atë fabrikë pa asnjë mbrojtje”, tha në një tjetër media vajza.

Samuel Tafçiu me vajzën e porsalindur

Dhimbja është e madhe edhe për vjehrrën e shqiptarit, Anna Campagna. Ajo ka postuar në rrjetet sociale një foto të Samuelit me vajzën e tij.

“Djali im, mungesa jote ka lënë një boshllëk. Vdekja jote na vret dy herë. Ai që ka përgjegjësi do ta paguajë”, thotë ajo.

“Si t’ia themi vajzës së vogël së çfarë ka ndodhur”, shtoi ajo në një tjetër postim në rrjetet sociale.

Ndërkohë për tre trupat e pajetë do të kryhet një autopsi. Por e habitshme është se si kjo tragjedi ndodhi në mes të një zone të banuar.

“Ka pasur kontrolle në ndërtesë, por pronari nuk i la policët e bashkisë që të hynin. Në 2023 dhe 2024 policia bashkiake donte që të kontrollonte ndërtesën për arsye planifikimi urban. Nuk e dinim që atje kishte një fabrikë sepse nuk ka pasur asnjë kërkesë për të nisur ndonjë aktivitet të tillë. Po përballemi me një fabrikë fantazmë. Pronari nuk i la policët që të hynin dhe të kontrollonin. Një kontroll inspektimi u kërkua edhe nga gjykata, por nuk erdhi kurrë. Ndoshta nëse policia bashkiake do të hynte do të zbulonin aktivitetin me fishekzjarrë dhe tragjedia nuk do të ndodhte”, tregoi për mediat Ciro Bonajuto, kryebashkiaku i Ercolano-s./tvklan./