Cili ka qenë momenti më i vështirë për Gjestin brenda shtëpisë së “Big Brother”? “Nuk mund të shihja dhe nuk mund të flisja…”
Në episodin përmbyllës të “Big Brother Radio” në Top Albania Radio, finalistët e këtij edicioni u përballën me dy moderatoret Elona Duro dhe Jonida Aliçkolli, në një bisedë të sinqertë, emocionale dhe reflektuese për rrugëtimin e tyre brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Gjatë pjesës së fundit të emisionit, Elona zhvilloi një bisedë të thellë me Gjesti-n, ku ky i fundit foli hapur për ndjenjat e tij ndaj Eglit, ngjarjet që e shoqëruan gjatë qëndrimit në shtëpi dhe, më së shumti, për momentin më të vështirë që përjetoi.
“Më e rënda ka qenë izolimi, ditët e shumta brenda, ngarkesa emocionale… dhe mbi të gjitha, ngjarja me Eglin. Nuk kam qenë i lumtur. Kam pasur gisht aty dhe pas daljes së saj u ndjeva i rënduar… E humba veten, humba shikimin, nuk mund të shihja, nuk mund të flisja… çdo gjë më dukej e ngadaltë,” – u shpreh Gjesti me emocione të thella.
Ai tregoi se aty përjetoi një krizë të vërtetë emocionale, një pikë ku mendoi ta linte lojën, por qëndrimi dhe vendosmëria e tij për të mos u dorëzuar e mbajtën të fortë:
“Aty kam dashur të dorëzohem… Por kur nuk u dorëzova atëherë, e di që nuk dorëzohem më kurrë.”
I pyetur nga Elona nëse ndihej krenar për mënyrën si e kishte përballuar atë moment, Gjesti u përgjigj:
“Shumë i lumtur. Jam krenar që tregova Besartin e vërtetë, ndoshta edhe familja ime nuk e kishte parë atë anë. Publiku më pa si i zemëruar, si nervoz, por edhe i qeshur, i ndjeshëm… Kam dhënë gjithçka në këtë shtëpi.”
Gjesti mbërriti në finale mes sfidash, gabimesh dhe ringritjesh, duke sjellë një histori të fortë përballjeje me veten dhe emocionet. Një dëshmi se edhe në errësirë, drita e karakterit të vërtetë mund të shfaqet më fuqishëm.