Hormonet vijnë nga Greqia, Si skuqen shalqinjtë në Lushnje brenda 10 orëve

818
0

Gjatë bisedës me një punonjës sere në Lushnje, “Fiks Fare” zbuloi se bima e shalqirit mund të vilej brenda 10 orëve me anë të ndërthurjeve të disa hormoneve bashkë.

Fillimisht, punonjësi i tregoi gazetarit të “Fiks Fare” se hormonet vinin nga Greqia dhe ato i sillte një tregtar grek, i cili komunikonte vetëm më agronomin e serës ose pronarin.

Çdo gjë mbahej në fshehtësi të plotë dhe punonjësit vetëm bënin përzierjet e rekomanduara nga agronomi. Madje punonjësi, i pyetur nga gazetari i “Fiksit” se çfarë hormonesh ishin, ai nuk di ta thotë emrin.

Ajo që i kishte bërë përshtypje ishte se, pas çdo thesi me hormone që përdorej, agronomi i mblidhte ambalazhet dhe i digjte, duke mos lënë asnjë gjurmë. Ai tregon se brenda ditës kanë bërë përzierjen e tri lloj hormoneve, duke e hedhur në depozitën e ujit, e cila më pas furnizon bimët e shalqirit dhe ditën tjetër në orën 06:00 të mëngjesit, shalqiri ishte bërë për t’u vjelur.

Në ujin vaditës ishin përzier hormon për rritje, hormon për pjekje dhe një hormon për zbukurim. Gjatë natës, në ujë ishte shtuar edhe hormoni për mosprishjen e kokrrës gjatë transportit. Tregu ishte i siguruar dhe eksportohej drejt Rumanisë.

Punonjësi tregon se brenda 10 orëve nga pjekja e shalqirit, për një ditë u bënë 23 tonë shalqi. Kur gazetari e pyet nëse edhe shijen e kishte si një frutë normal i shalqirit, që piqet në kushte normale pa hormone, punonjësi i serës shprehet se vetëm shije që nuk ka.

“Është diçka e rritur me stimulues, piqen nga jashtë, brenda janë…”, shprehet ai. Ajo çka të bën përshtypje në bisedën e tij është përdorimi pa kriter i hormoneve, “sa edhe bima vetë po ta këpusësh nxjerrë lëng të kuq si gjak”, pohon punonjësi i fermës në Lushnje.