Gazeta më e madhe në Holande ‘De Telegraaf’ i ka kushtuar një shkrim të shkurtër kërkesës së disa partive politike holandeze, të cilat kërkojnë që të rikthehen vizat për shqiptarët.
Tre parti e shohin këtë si e vetmja mundësi për të frenuar fenomenit të krimit organizuar shqiptar në Holandë.
Kjo masë drastike është mbështetur nga 3 parti kryesore në Holandë, ndër të cilat Partia Socialiste, Partia për Liri dhe Partia Demokristiane. Sipas deputetit Fritsma problemet nisën kur u liberalizuan vizat. “Kjo pritej! Kriminelët përfitojnë kur s’ka kontrolle”, thotë ai.
Edhe deputetja Van Toorenburg, anëtare e të njëjtës forcë politike të ministrit holandez për Drejtësi dhe Siguri Grapperhaus, që vizitoi Tiranën së fundmi, kërkoi direkt rikthimin e vizave për shqiptarët.
“Unë dua të di kë fusim në shtepi. Do të kemi shumë shpejt një debat me ministrin”.
Anëtarja e Partisë Socialiste në Kuvendin e Holandës mbështet këtë masë. “Duhet të niset një procedure emergjente për të rikthyer vizat”, shprehet ajo.
Mbetet për të parë në seancën e radhës të planifikuar me tematikën “Krimi i organizuar shqiptar në Holandë”, nëse një shumicë e deputetëve do të mbështesin propozimin e 3 partive kryesore për të rikthyer vizat për shqiptarët.
Nëse në Holandë diskutohet tashmë kjo masë e ashpër, atëherë premtimi i hapjes së negociatave në qershor nga ministri i Jashtëm duket më shumë një ëndërr sesa një realitet i arritshëm.
Për Holandën është ende herët pasja e një vendimi për mbledhjen e qershorit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për çeljen, apo jo të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.
“Holanda vijon që ta mbështesë të ardhmen Europiane të Shqipërisë. Ekipe të përbashkëta për të luftuar krimin mes dy vendeve. E inkurajoj Shqipërinë që të vijoj të tregojë rezultate të prekshme. Do të flas me kolegët e mi në qeveri dhe mbresat që më ka lënë qeveria.
Ne do të punojmë së bashku. Ne duhet të luftojmë krimin e organizuar ndërkombëtar, me kriminelë shqiptarë, holandezë dhe nga vende të tjera të botës. Jam i impresionuar nga ajo si Shqipëria është zhvilluar në dekadat e fundit dhe vijon.
Unë jam besimplotë se këto janë zhvillime pozitive që do të vijojnë edhe në të ardhmen e afërt. Ne duhet të presim për raportin e progresit të Komisionit Europian që do të dalë në maj.
Të presim këtë raport dhe ne si qeveri do t’i diskutojmë bashkë me Parlamentin tonë në Holandë”, tha ministri holandez.
Kjo vizitë e zyrtarit të lartë të Holandës pritet të jetë shërbejë edhe si tablo për qeverinë e tij në lidhje me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.