Holanda thotë ‘JO’/ Zvogëlohen shanset e Shqipërisë për hapjen e negociatave

527
0

Zvogëlohen shpresat e Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Parlamenti i Holandës i ka thënë ‘JO’ hapjes së negociatave për Shqipërinë.  125 deputetë nga shumica dhe opozita kanë votuar kundër çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Vendimi i parlamentit holandez për mocionin e paraqitur nga Komisioni për çështjet me Europën është marrë pasditen e sotme pas diskutimeve. Vendimi nuk ishte i papritur, pasi Holanda e kishte paralajmëruar në muajt e fundit, ndërsa edhe sot ministri i Jashtëm deklaroi se Shqipëria nuk është gati, pasi ka probleme me krimin dhe korrupsionin.

“Ne kemi shqetësime serioze në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më shumë përparime duhet të bëhen në këto pika” tha ministri i Jashtëm Stef Blok, para votimit të mocionit në parlament. Ndërsa disa nga deputetët janë shprehur ndër të tjera ‘Shqipëria nuk ka përmbushur 5 prioritetet. Nuk ka të dhëna të sakta për krimin e organizuar. Ka probleme me të dhënat e luftës ndaj korrupsionit’.

Deputeti i CDA (Kristian Demokratëve) Van Helvert u shpreh se është i vetëdijshëm për ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, por kjo sipas tij nuk është arsye pazar. “Nuk janë kritere për të bërë pazar për anëtarësimet. Përsa i përket reformës në gjyqësor nga 800 gjyqtarë vetëm dhjetë janë testuar. Atëherë nuk mund të thuash: vendi është gati për negociata për anëtarësim” tha ai. Në Holandë vetëm progresistët e ‘D66’ ishin pro hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.‘Negociatat nuk do të thotë se ata mund të bashkohen tani me ne” tha deputeti Verhoeven i D66.

Vendimi u paralajmërua sot edhe nga gazeta më e madhe holandeze ‘De Telegraf’. “Holanda bllokon pranimin e Shqipërisë në BE”. Kështu shkruante ‘De Telegraf’, disa orë para vendimit, që u konfirmua në mbrëmjen e sotme. Ndërkohë që dita e sotme kishte edhe një lajm të mirë për Shqipërinë, pasi Gjermania zyrtarisht deklaroi votën pro Shqipërisë për hapjen e negociatave, ndërsa Franca është më shumë për jo, pasi Macron para zgjerimit ka kërkuar një reformë të thellë në BE. Megjithatë, vendimi final për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të merret në datë 28 qershor në Bruksel, por me votën e sotme të Holandës shanset janë zvogëluar.

Mocioni i paraqitur ne parlamentin holandez per Shqiperine d.ba.