“Historike për Shqipërinë”, Fjala e plotë e Ramës ne Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

1
0

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Rama tha se Këshilli i Sigurimit është krijuar për të ngritur zërin kur ndodhin shkelje.

“Këshilli i Sigurimit është krijuar për te ngritur zërin e për të ndërhyrë në shërbim të këtyre vlerave, kur ndodhin shkelje flagrante. Për ne, sfida është sesi Këshilli mund të ndërhyjë në një mënyrë inteligjente, reflektuese dhe në kohë, për të parandaluar masakrat, për të ndalur konfliktet dhe për të garantuar paqe e siguri të qëndrueshme.

Askush nuk dyshon në fuqinë e Këshillit të Sigurimit. Sfida jonë është ta bëjmë të drejtë atë çka është e fortë dhe ta bëjmë të fortë atë që është e drejtë. Për një organizëm kaq të fuqishëm sa Këshilli, të mos jetë i drejtë nuk mund të jetë alternativë, ndaj duhet të bashkohemi me drejtësinë, pasi nuk do të ketë paqe pa drejtësi” tha Rama.

Fjala e plotë e Ramës:

Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspirata tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë.

Më lini ta nis duke dalë jashtë skenarit dhe duke e thënë troç, përkundër këshillës së ambasadorit dhe të të tjerëve:

Sikur për asgjë tjetër, por vetëm për një tubim si ky, ku kaq shumë miq e të ftuar të shquar janë të pranishëm për të ndarë këtë moment me ne, ma ha mendja se Mandati i Këshillit të Sigurimit ia vlen.

Ju faleminderit që jeni këtu!

Vetëm një imagjinatë pa fre do kish guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë. Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do kish qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më pare.

Asokohe, Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës.

Diktatura u shkërmoq falë thirrjes së njerëzve drejt asaj çka për natyrën njerëzore është një nevojë e brendshme: lirisë, barazisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Shumë herë, rrota e historisë lëviz në drejtime të çuditshme. Për ne shqiptarët, zgjimi erdhi mjaft vonë, por ne i mbajtëm sytë kah na thërriste drita dhe qysh atëherë kemi ecur në një drejtim të vetëm, atë të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave e dinjitetit të njeriut, zhvillimit dhe reformave.

Që prej kësaj kohe, kërkimi i vendit të merituar në rajon dhe Europë ka mbetur busulla jonë edhe në momentet më të mundimshme, në rrugën tonë të vështirë drejt një shoqërie të lirë e demokratike, drejt familjes me të cilën duam të bashkohemi, familjes europiane së cilës i përkasim.

Bota ka ndryshuar dhe është transformuar gjatë 66 vjetëve të fundit, që prej ditës kur u anëtarësuam në OKB. Shumë vende e shoqëri kanë parë jetët e tyre të ndryshojnë rrënjësisht, por mund ta them pa asnjë dyshim se transformimi i Shqipërisë është një prej më mbresëlënësve e më me ndikim, deri në atë pikë sa prirem te bie dakord me miqtë që na thonë se përgjatë tri dekadave të fundit, Shqipëria është transformuar më shumë se gjatë tre shekujve të fundit.

Ky është bilanci ynë për të cilin jemi krenarë dhe duam ta përmirësojmë më tej.

Në ditët e sotme ne vërejmë se vlerat që dikur i merrnim të mirëqena si aspirata për t’u arritur janë vënë në mëdyshje por, ne që u kemi mbijetuar kohëve të errëta, këto dyshime nuk i ushqejmë, sepse e dimë se cila është alternativa e këtyre vlerave.

Ne i kemi vënë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut në qendër të agjendës sonë për mandatin në Këshillin e Sigurimit. Ne i shohim ato si përparësitë e organizmit më të fuqishëm në botë.

Nuk e di sa prej jush në këtë sallë apo jashtë saj do të binin ose jo dakord me mua që kudo ku te drejtat e njeriut zbatohen, kudo ku gratë respektohen dhe fuqizohen, kudo ku nevojat e qytetarëve vendosen të parat, aty ka zhvillim të qëndrueshëm dhe përparim të mirëfilltë, po për ne, të drejtat e njeriut janë në themel të çështjeve kyçe të paqes dhe sigurisë. Njohja e universalizmit të të drejtave kërkon një drejtpeshim të mençur midis parimeve kundërshtuese: sovranitetit të kombeve, që duhet ta respektojmë dhe së drejtës njerëzore për t’u mbrojtur, së cilës duhet t’i qëndrojmë.

Këshilli i Sigurimit është krijuar për të ngritur zërin e për të ndërhyrë në shërbim të këtyre vlerave, kur ndodhin shkelje flagrante. Për ne, sfida është sesi Këshilli mund të ndërhyjë në një mënyrë inteligjente, reflektuese dhe në kohë, për të parandaluar masakrat, për të ndalur konfliktet dhe për të garantuar paqe e siguri të qëndrueshme.

Askush nuk dyshon në fuqinë e Këshillit të Sigurimit. Sfida jonë është ta bëjmë të drejtë atë çka është e fortë dhe ta bëjmë të fortë atë që është e drejtë. Për një organizëm kaq të fuqishëm sa Këshilli, të mos jetë i drejtë nuk mund të jetë alternativë, ndaj duhet të bashkohemi me drejtësinë, pasi nuk do të ketë paqe pa drejtësi.

Siguria nuk mund të vendoset e jo më të zgjatë, pa u vendosur drejtësia. Kështu, mendimi ynë është se Këshilli i Sigurimit duhet të kërkojë arritjen e paqes dhe sigurisë, por edhe vendosjen e drejtësisë, llogaridhënies. Përmes llogaridhënies do të mund të shkojmë drejt pajtimit, që çimenton paqen e qëndrueshme.

Kjo është edhe detyra për një vend te vogël si Shqipëria. Ne nuk i sjellim fuqi materiale Këshillit të Sigurimit, së paku jo tani, por nuk është fuqia ajo çka i mungon Këshillit të Sigurimit. As nuk është vetëm fuqia ajo që i duhet Këshillit për të zgjidhur sfidat më të ngutshme sot ndaj paqes dhe sigurisë në botë.

Ne jemi angazhuar të sjellim zërin, vlerat dhe normat tona në punën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit, si kontribut për paqen. Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët përvojat e jetuara, mësimet e marra.

Mënyra jonë e drejtpërdrejtë për të kontribuar në lehtësimin e vuajtjes së atyre në nevojë ka qenë të japim atë çka kemi, çfarë mund të jepnim, kur është dashur ta bëjmë: u kemi hapur shtëpitë dhe zemrat atyre që kanë nevojë për shpëtim dhe strehë; qofshin ata hebrenjtë gjatë Holokaustit, kur Shqipëria u bë i vetmi vend që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara saj apo për gjysmë milionë kosovarë, që iknin nga spastrimi etnik i regjimit mizor të Sllobodan Milosheviçit, apo mijëra pjesëtarë të MEK-ut, që janë strehuar të sigurt në Shqipëri dhe me së fundi, mijëra afganë që u arratisën nga reprezaljet e talebanëve.

Ne nuk kërkojmë merita për këtë. Ajo i takojnë dinjitetit çdo qenieje njerëzore, pavarësisht besimeve, fesë, etnisë, gjinisë apo cilitdo orientimi.

Ky nuk është slogan, është praktikë e jetuar. Ne nuk veprojmë sipas këtij kodi nderi sepse mundemi, por thjesht sepse duhet. Është pjesë e ndjesisë së asaj që jemi si shqiptarë dhe atë që duam të jenë fëmijët tanë.

Të dashur miq,

Në shtegtimin e gjatë derisa gjetëm rrugën tonë i kemi parë të gjitha: luftën, pushtimin, diktaturën, izolimin e vetimponuar, varfërinë e skajshme.

E vetmja gjë që nuk kemi përjetuar dhe ka një arsye thelbësore për këtë është konflikti fetar.

Arsyeja është se e kemi mësuar nga përvoja të vëmë të përbashkëtën në vend të parë dhe individualen me pas. Ne ia kemi dalë të besojmë në dialogun e sinqertë ose për ta thënë më mirë, në “shkrirjen e horizonteve”. Dialogu, për ne, është një mënyrë për të arritur mirëkuptimin e ndërsjellë, respektin dhe pranimin reciprok, pa të cilat paqja do të mbetej një mirazh, një aspirate e pakapshme.

Ne do të mund të luftojmë shkaqet rrënjësore te konfliktit të dhunshëm duke pranuar tjetrin te vetja dhe veten te të tjerët. Në fund të fundit, ne jemi të gjithë një bashkësi e fatit.

E ardhmja jonë në këtë vend të vetëm e unik që quhet Tokë është e lidhur tekefundit me aftësinë tonë për të kuptuar e për të mësuar të jetojmë me dallimet tona, me aspiratat e përbashkëta, në paqe dhe dinjitet.

Kjo është detyra që marrim përsipër, ta ruajmë atë horizont të shndritshëm në themelin e punës së Këshillit të Sigurimit.

Ju faleminderit që gjendeni këtu me ne sonte, në këtë takim kaq të veçantë dhe ju faleminderit që i dhatë pak nga dashuria e kësaj ditë sot Shqipërisë.

Ju faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.