Kur Donika njohu bashkëshortin mbi 20 vite më parë nuk i’a merrte mendja kurrë që ai që u hoq si mjek në fakt do bëhej shpirti i saj binjak. Një dashuri mes Egjiptit dhe Shqipërisë që i rezistoi shumë intrigave dhe vështirësive, por që tashmë po rrezikohet nga largësia. Sot ajo do i japë një mesazh Mohamedit, djalit të saj pasi pavarësisht moshës duket se ai ka në dorë të ndryshojë disi fatin e kësaj historie…
“Historia ime ka filluar në vitin 1993. Kur shkova në ambulancë për një vizitë dhe atje ishte një doktor egjiptian, aty ishte dhe një tjetër që nuk ishte doktor, por u prezantua si mjek dhe më vizitoi. Duhet të vish nesër prapë dhe të marrësh një fasho dhe vaj ulliri për krahun. Unë shkova përsëri dhe më thotë të dalim për kafe, jo i thash unë, po do hajde në shtëpi, por unë iki para ai erdhi pas meje. Kur u thosha shqiptarëve hajde në shtëpi iknin se unë kisha dhe katër vëllezër. Ai fliste shumë pak shqip, por unë e kuptoja shumë mirë. Shkuam në shtëpi, më pyesin se kush ishte, por unë nuk e njihja. Erdhën vëllezërit, babai dhe më thanë ti vetëm thuaj jo dhe merremi ne, por mua nuk më linte sedra, ai erdhi në shtëpi dhe më dukej e rëndë që ta refuzoja.
Shumë politikë nga shtëpia, por unë pranova, kjo është e shkruar për mua dhe kështu do ndodhi, vendosa të lidhem me Emadin. Nga familja më thanë se po të doli keq nuk ke më punë në shtëpi, u fejuam dhe ai iku në Itali, tre muaj pa folur në telefon. Gjatë kësaj kohe familja kërkonin të më fejonin me ndonjë dhe të harroja Emadin. Unë i shkrova një letër në shqip që të më merrte në telefon një herë nëse donim të vazhdonim. Sa mori letrën direkt telefonoi, por unë isha në spital tek mbesa dhe foli në telefon me vëllain që i tha se është në spital. Ai kujtoi se mos kisha bërë unë ndonjë gjë vetes nga dashuria për atë dhe të nesërmen vjen në shtëpi. Pas 4 muajsh u martuam, pas tre ditesh martesë shkuam në Egjipt dhe kishte dal familja e tij të na priste. Kur shkova në Egjipt më thonin europiania, sepse nuk isha e mbuluar. Atje isha në mes të luksit, por isha shumë e lidhur me familjen dhe u ktheva. Ai ishte tregtar këtu dhe bënim një jetë të mirë. Kam dy vajza, Seham dhe Uarda dhe djalin Mohamed. Sa erdhi në jetë djali nisën konfliktet me familjen e tij. Kur ke vajza pasuria ndahet ndërmjet vëllezërve dhe motrave, ndërsa kur ke djalë pasuria i mbetet atij. Vjehrri i bëri një pallat 6-katësh djalit që lindi. Unë nuk ndërhyj në marrëdhënien e tij me familjen, por i thoja Emadit që shikoj shumë shtirje. Në një moment ai pësoi aksident në makinë bashkë me Mohamedin. Ata të dashurit e Emadit u larguan dhe një gotë ujë nuk i dhanë.
Çdo gjë e kalova vetëm, por Zoti njeriun e drejtë e ndihmon, vonon, por nuk harron kurrë. Më vonë vjen një letër, sepse vjehrra nuk kishte paguar detyrimet ndaj shtetit pasi i kishte shitur pasurinë e djemve. Ajo mendoi më të keqen për djalin e saj, Emadin. Doktori nuk i kishte dhënë shpresa Emadit, por dy ditë pas aksidentit të tij vdes vjehrri… Sot kam sjell djalin, sepse burrit tim i është refuzuar viza për në Shqipëri. Unë, Mohamedi dhe vajzat jetojmë këtu, sepse djali ftohtësinë e familjes së burrit ndaj meje nuk e duron dot, kjo ka nisur që në moshën 7-vjeçare. Muhamedi tani është 12 vjeç, por që i vogël thotë jam shqiptar dhe nuk do të ikim në Egjipt, sepse ka gjithë shoqërinë këtu…”
Në një familje të shëndoshë çdo pjesëtar i saj ka një rol të rëndësishëm në vendimmarrje. Shpresojmë shumë që Donika të bashkohet së shpejti me bashkëshortin e saj dhe Mohamedi të rritet pranë të dy prindërve. /tvklan.al