Historia e Lefter Rexhmatit, qe perloti shqiptarët, babai qe protestoi per bukën e gojës së 3 femijeve

679
0

Një nga të arrestuarit e protestës së 31 marsit në Kalimash është edhe Lefter Rexhmati. Familja e tij ka 5 vjet që jeton në Kukës.

Poshtë pallatit është furgoni i Lefterit. Ai punonte prej tre vjetësh duke bërë transport udhëtarësh Kukës-Tiranë, një rrugë në ditë. Lefterit i duhej të paguante 22 euro në ditë sipas tarifave të vendosura nga kompania koncesionare.

“I kushtonte 30 mijë lekë Lefterit që të linte tek sporteli që ishte vendosur atje. 1 milionë shkonte në muaj. Ai nuk merr aq dhe si do ta përballonte. Një ditë kishte punë, një ditë jo. Vjen edhe pa lekë në shtëpi, ka sjellë edhe vetëm 1 mijë lekë”, thotë Servetja, gruaja e tij.

Në familjen e Lefterit presin gruaja dhe tre fëmijët. Gresi është 9 vjeç, Andrea 2, dhe vajza e madhe Sihana 12 vjeç, e paralizuar, e shtrirë në krevat në gjendje vegjetative.

“U lutem që Lefteri të vijë tek fëmija i vet, boll ta ledhatojë atë, se ajo nuk jeton dot pa ndihmën e babait të vet”, tregon ajo.

Vajza e paralizuar merr pagesë invaliditeti që bashkë me kujdestarinë e të ëmës bëjnë 260 mijë lekë të vjetra në muaj.

“I gjithë Kukësi u ngrit, jo vetëm Lefteri! Lefteri nuk është terrorist. Isha edhe unë me gra të tjera! Lefterin e kam parë vetëm në televizor që ishte me gjak”, rrëfen ajo.

Servetja thotë se bashkëshorti flinte në furgon nga frika mos ja vidhnin. 44-vjeçarja tregon momentet kur policia erdhi për t’i arrestuar bashkëshortin.

“U ngrita dhe në derë po trokisnin pak në orën 3:30 të mëngjesit. Kur e hapa derën ishte një civil i gjatë që hyri brenda dhe kishte të tjerë të zinj, nuk dukeshin si njerëz. Ishin 7-8 vetë! E arrestuan në makinë”, thotë ajo.

Vajza e paralizuar duhej çuar në spital një natë më parë.

“Nuk e çoj dot se është larg dhe nuk di çfarë t’i them shtetit! A ka shtet për ne?!”, rrëfen më tej ajo.

Gruaja është gjithë sy e vesh në televizion për të dëgjuar se çfarë do të bëhet me fatin e bashkëshortit të saj.

“Ndjekim lajmet që të shohim se si do të vendoset për këta që u arrestuan jo për politikë, por për ekonomi”, thotë ajo.

 

Servete Rexhmati udhëtoi mëngjesin e kësaj të mërkure nga Kukësi bashkë me djalin e saj të mitur.

Dy vajzat, njëra e paralizuar i la nën kujdesin e të afermve. Ajo priti 9 orë para Gjykatës së Tiranës me shpresën se burrin e saj do e lironin. Pritja e gjatë u shpërblye. Gjykatësja e Kukësit dha vendimin për të liruar Lefter Rexhmatin.

Policia e shoqëroi të arrestuarin në Drejtorinë e Policisë dhe pritja aty ishte më e shkurtër, i arrestuari në protestat e Rrugës së Kombit mori vendimin e lirimit.

Ai duhet të paraqitet rregullisht para prokurorit deri sa të dalë në gjyq.

Pritja e gjatë nuk e ka lodhur as të birin e mitur, i cili gëzon kur takon të atin. Lefteri doli të protestonte, sepse siç i tha Top Channel gruaja e tij, i duhej të paguante 22 euro në ditë, ose 900 mijë lekë në muaj, sepse punonte shofer furgoni për transportin e udhëtarëve nga Kukësi në Tiranë.

“Jam shumë i lumtur që jam pranë familjes. Vendimi i gjykatës, edhe i drejtë edhe i padrejtë. Do të vazhdoj aktivitetin tim. U ngritëm në protestë kundër asaj takse”, thotë Lefteri.

Protestuesi u nis në Kukës pranë vajzave të tij, por sërish do të duhet të paraqitet në Gjykatën e Tiranes, kur procesi ndaj tij dhe 23 të tjerëve do të rifillojë.

38 vjeçari Lefter Rexhmati, nga fshati Bushat i Kukësit, la sot qelinë e paraburgimit, me masën e dhënë nga gjykata, “detyrim paraqitje”.

I ftuar sonte në Top Show, me lot në sy 38 vjeçari rrëfeu ngjarjen e Kukësit. Lefteri tregoi se protesta nuk ishte organizim politik, dhe se kuksianet u provokuan nga policia për dhunën.

“Isha në gjumë në furgon kur erdhi policia. Unë as nuk e dija që kishin shkuar më përpara në shtëpi. I pyeta pse më arrestuan por nuk m’u përgjigjën. Në 3.30 më kanë arrestuar dhe ishte një arrestim barbar. Ishte arrestim sikur të kisha vrarë njeri”, kujton Lefteri.

Më tej, Lefteri deklaroi se “akuza thonte që kemi goditur forcat e policisë dhe kemi djegur pikën ku paguhej tarifa, por unë nuk kam goditur asnjë polic. Mua më kanë goditur dhe jam gjakosur”.

Protestuesi tregon arsyet pse doli në protestën për “Rrugën e Kombit”: “Dola në protestë sepse tarifa e rrugës është shumë e shtrenjtë për mua. Vajtje-ardhje më binte 30 mijë lekë (të vjetra). Nuk më del llogaria, duke shtuar që jam vetëm unë që punoj në shtëpi”.

Kur u pyet nëse do të dilte në protestat e radhës, Lefteri u shpreh: “Nuk mund të dal më në protestë, pasi nuk më lejon gjykata”.

Ai më tej tregon se policia e ka arrestuar në mënyrë barbare gjatë natës. “Më kanë arrestuar në mënyre barbare. Unë s’kam vrarë njeri që të më trajtonin në këtë mënyrë”, u shpreh Lefteri, duke treguar makthin që përjetoi ai dhe familja. shqiptari.net/