Një vit më parë, gati 13% e popullsisë shqiptare aplikoi për lotarinë amerikane. Duket se edhe këtë vit, aplikimet e shqiptarëve do të jenë në masë.
Data 3 tetor shënoi edhe fillimin e aplikimeve për lotarinë amerikanë. Edhe pse shqiptarët kanë mbi një muaj kohë për të aplikuar, përsëri interesi nuk mungon në ditën e parë.
Bled Marku, prej 8 vitesh ushtron profesionin e gazetarit në një televizon. Profesioni dhe paga e mirë, të cilat lakomohen nga shumë të rinj, nuk e bindin Bledin të qëndrojë në Shqipëri. Edhe ai, si shumë shqiptarë të tjerë dëshiron të prekë ëndrrën amerikane.
Bledi tregon se po aplikon për hëre të parë për lotarinë amerikane. Sipas tij, ngjarjet e fundit kanë treguar se Shqipëria është një vend i pasigurtë.
Rrefimi
“Në këto momente sapo plotësova lotarinë merikane. Shumë vetë mund të pyesin pse një folës, një gazetar dëshiron të largohet nga ky vend. Edhe unë, si një 30-vjeçar që jeton në këtë Tiranë të zhurmshme, kërkoj që familja ime modeste të rritet e sigurtë. Siç po shohim edhe ngjarjet e fundit në Tiranë, por jo vetëm, kushtet dhe siguria duket se nuk janë kushte optimale”, tha Bled Marku, gazetar.
Folësi është i vetëdijshëm që në Amerikë nuk do të punojë në një studio lajmesh, përkundrazi, ai e sheh veten edhe si një punëtor ndërtimi.
“Edhe pse këtu punoj si folës dhe gazetar, largimi drejt Amerikës do të më shtyjë drejt një pune, të cilën nuk e kam bërë ndonjëherë. Mund të punoj kamerier, mund të punoj banakier, në ndërtim a në çdo punë tjetër. Por, e di që aty do të vlerësohem, e di që do të marr një shërbim mjekësor të rregullt. Atje e di që shteti vihet në dispozicion të personit, e jo personi në dispozicion të shtetit”, tha më tej gazetari Bled Marku. / TCh