Hekurudha Tiranë-Rinas: Për 12 minuta nga qendra në aeroport

163
0

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në Tiranë, Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, me të cilën e nisi axhendën e kësaj vizite, me inspektimin e punimeve për një nga projektet madhore strategjike në kuadrin e rimëkëmbjes dhe modernizimit të hekurudhës shqiptare, atë të ndërtimit të e hekurudhës Durrës – Tiranë me degëzim në aeroportin e Rinasit. Vlera totale e zbatimit të këtij projekti është 70 milionë Euro, fonde të cilat janë 50% grant nga Bashkimi Evropian dhe 50% kredi e butë BERZH.

Ky segment hekurudhor është tashmë pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt ishte një nga tre projektet fituese në Samitin e Parisit, të mbajtur në Korrik 2016, ku konkurronin për grante nga BE/WBIF (Fondi i Investimit për Ballkanin Perëndimor) 6 vende të Ballkanit Perëndimor.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku informoi Kryeministrin dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, lidhur me projektin dhe ecurinë e deritanishme të punimeve. “Projekti është  i integruar, sepse ka një linjë ekzistuese shinash të hekurudhës, që dikur lidhte Tiranën dhe Durrësin, por projekti përfshin edhe pesë kilometra, që do të ndërtohen tërësisht nga e para dhe që do të lidhë Tiranën me Aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza dhe do të vijojë më tej për t’u lidhur me Durrësin.  Si i tillë është projekt me tepër interes.  Gjatësia e përgjithshme e hekurudhës do të jetë 39 km. Projekti përfshin 10 stacione të reja treni dhe tashmë kemi realizuar 30 % të gjithë volumit të punës për ndërtimin e hekurudhës, që është i kënaqshëm”, shpjegoi Zëvendëskryeministrja Balluku teksa përmendi edhe projekte të tjera të rëndësishme që do të realizohen në Durrës.

Në Durrës kemi shumë projekte të reja, përfshi edhe portin e ri tregtar, pasi qyteti është një destinacion i rëndësishëm turistik dhe për pasojë, porti i vjetër ekzistues në qendër të qytetit tashmë e ka humbur kuptimin e tij. Kështu ne po punojmë me studion arkitekturore “Royal Hasconing” për projektin e portit të ri në zonën industriale të qytetit. Kështu, lidhja me hekurudhën e re do të jetë tepër e rëndësishme. Kemi një histori sa i takon hekurudhës, pasi gjatë regjimit komunist, të gjithë e përdornin hekurudhën për të udhëtuar brenda vendit. Por pas viteve 90-të , si shprehje e lirisë, hekurudha u harrua. Por njerëzit sot janë shumë të ndjeshëm sa i takon mjedisit, kështu që ka interes për transportin e gjelbër, siç është hekurudha, si dhe efikasitetin financiar që kjo formë transporti ofron”, u shpreh ajo.

Ndërsa kryeministri Rama duke iu përgjigjur interesit të Presidentes së KE Von Der Leyen, lidhur me zhvillimin e qytetit të Durrësit tha se “Durrësi është i zhvilluar në mënyrën më intensive. Nëse marrim parasysh numrin e madh të turistëve që vijnë, bëhet fjalë më tepër të themi për një lloj turizmi masiv, me një numër shumë të madh pushuesish.”

Nga ana e saj, Presidentja e KE, Ursula Von Der Leyen vlerësoi punën e deritanishme në drejtim të ndërtimit të hekurudhës së re.

Me përfundimin e projektit, koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit Nënë Tereza do të jetë rreth 12 minuta me tren ekspres ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 22 minuta. Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore.