Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës drejt nisjes, ja data, rikthehet stacioni te Ish-Treni

715
0

Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës pritet që të fillojë punimet në muajin qershor të këtij viti, teksa brenda muajit mars parashikohet që të përfundojë procedura e tenderimit .

Lajmi u bë i ditur nga z. Thimio Plaku, drejtor i Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Transportit dhe Infrastrukturës, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë një tryeze të rrumbullakët me temë “Procesi i Berlinit: forcimi i ndërlidhjes dhe bashkëpunimit rajonal”, të organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Ambasadës së Holandës në Tiranë.

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.

Kostoja totale e këtij projekti është 92 milionë euro, 40% e të cilës është kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 42% janë grante dhe 18% është kontribut kombëtar.  Qëllimi i saj është rehabilitimi i 34.5 km hekurudhore midis Tiranës dhe portit kryesor të Durrësit (34.5 km) si dhe ndërtimi i 7.4 km rrugë të reja hekurudhore midis Tiranës dhe aeroportit ndërkombëtar Rinas. Aktualisht  procesi i prokurimit ndërkombëtar me dy faza është duke u zhvilluar. Afati i synuar për mbylljen e tij është muaji mars.

Z.Plaku tha se ka një zhvillim në këtë projekt. Fillimisht ai parashikohej të mbaronte në terminalin e transportit publik (ku është sot terminali i autobusëve). Por, për shkak të humbjes së pasagjerëve me largimin e stacionit të trenit, është vendosur që të zgjaten edhe disa kilometra hekurudhë, në mënyrë që vetëm terminali i pasagjerëve të jetë afër ish-stacionit të vjetër të trenit, rreth 200 metra larg parkimit të sotshëm. “Ka filluar dizajni i detajuar për zgjatjen e hekurudhës nga Terminali i Transportit Publik në Stacionin Qendror të Tiranës, me një gjatësi prej 4 kilometrash”, tha Plaku.

Në fazën e mëtejshme pritet dhe elektrifikimi i hekurudhës nga Tirana në Rinas.

Si do të zhvillohen hekurudhat

Z.Plaku tha se qeveria po punon për të shtrirë rrjetin e hekurudhave në vend, në linjë me prioritetet që Bashkimi Europian i ka dhënë  zgjerimit të tyre.

“Kemi një sërë projektesh në rrjetin hekurudhor. Bashkimi Europian, për rrugët jep deri në 20% grante, ndërsa për hekurudhat deri në 50%, pasi promovon ndërtimin e rrjeteve hekurudhore”.

Po punohet për projektin e detajuar të hekurudhës Vlorë-Hani i Hotit, i cili pritet të përfundojë në nëntor 2020. Ky projekt mundësohet nga një grant 4.5 milionë euro i akorduar nga WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor). Pas përfundimit të tij do të aplikohet te WBIF për një grant prej rreth 50% të investimit (140 milionë euro).

Hekurudha Durrës – Rrogozhinë – Pogradec – Lin – Maqedoni, (Pan European Corridor VIII) është pjesë e rrjetit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe po punohet për ta kualifikuar si rrjet bazë deri në vitin 2023, me perspektivën për një zgjatim indikativ të Korridorit Orient/East Med TEN-T Corridor. Ka përfunduar studimi i fizibilitetit për rindërtimin e këtij korridori rrugor si dhe për dizajn paraprak të rrugës Durrës – Rrogozhinë. Më pas do të aplikohet te  WBIF për një grant prej 50% të investimit (64 milionë euro).  Ky projekt ka dalë me rezultate të mira sa i përket trafikut të pasagjerëve. Plaku thotë se problem në këtë projekt është pjesa e Maqedonisë, e cila është tepër e shtrenjtë, në rreth 600 milionë euro si dhe gjetja e një gjuhe të përbashkët për pikën e daljes nga Shqipëria, që fillimisht ishte planifikuar në Lin, por ka pasur shqetësime për ndikimin në mjedis.

Përmes një granti prej 1.7 milionë eurosh nga Banka Europiane e Investimeve (EIB) po hartohet dizajni paraprak dhe i detajuar i rindërtimit të hekurudhës Rrogozhinë – Pogradec. Më pas do të aplikohet për një grant për 50% të investimit (300 milionë euro).

Po kryhet një studim parafizibiliteti për lidhjen hekurudhore Shqipëri  – (Kapshticë/Kristalopigi) – Greqi në kuadër të programit INTERREG CBC Shqipëri-Greqi. Projekti do të përfundojë në fillim të vitit 2021 dhe më pas do të aplikohet për studimin e fizibilitetit dhe dizajnit të detajuar.

Z.Plaku tha se distancat e shkurtra hekurudhore dhe ngarkesat e vogla po pengojnë zhvillimin, ndaj prioritet janë distancat e gjata. Me leverdi shihet sidomos lidhja hekurudhore me Greqinë, e cila nëse realizohet, mund të nisen çdo ditë dy trena pasagjerësh, duke mundësuar dhe lidhjen me gjithë Europën.Monitor