Kjo javë e cila përkon dhe me fundin e muajit Marsit, pritet të jetë me vranësira të dendura, të cilat do të gjenerojnë reshje shiu në mbarë vendin.
“Parashikohet që pothuajse e gjithë kjo javë të jetë në mbizotërimin e masave ajrore të paqëndrueshme , duke bërë që të kemi prezente në vendin tonë vranësira të dendura të cilat do të gjenerojnë dhe reshje shiu herë pas here në formën e rrebesheve të cilat më të dukshme pritet të jenë në mesin e javës, duke përfshirë këtu ditën e mërkurë, dita e enjte dhe më pak dita e premte”, shprehet Hakil Osmani.
Në zonat malore nuk do të mungojnë as reshjet e borës.
“Në pjesën e dytë të javës do të kemi rishfaqje të reshjeve të dëborës, ku më prezente priten të jetë në zonat e thella malore në veri, ndërsa më pas, gradualisht, në zonat e thella malore do të shfaqen dhe në juglindje të territorit shqiptar. Mbeten kryesisht në 1000 metra nga niveli i detit”, thotë Osmani.
Sipas sinoptikanëve edhe temperaturat do të pësojnë ulje me 2-3 gradë Celsius, sidomos të mërkurën.
“Pritet që gjatë kësaj jave të kemi luhatje të temperaturave të ajrit, pritet të kemi ditën e martë, dita e mërkurë e cila do sjelli rënie të tyre duke bërë që maksimumet të zbresin edhe në vlerat 19 gradë Celcius, ndërsa minimumet të zbresin në 2 gradë Celcius në qytetet e zonave malore, ndërsa në ultësirën perëndimore të luhaten nga 4 deri në 10 gradë Celcius, duke përfshirë këtu dhe kryeqytetin”, shprehet sinoptikanti.
Meteorologët parashikojnë se fillimi i javës do ketë probleme dhe parametrin e erës, ndërsa reshjet e shiut do të na shoqërojnë gjatë gjithë javës, të cilat herë pas here do jenë në formën e shtrëngatave të shoqëruar me shkarkesa elektrike.