‘Harroi’ se kishte dhe një apartament 129 mijë €, shkarkohet gjyqtari

628
0

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, organi fundor i Vetingut, ka vendosur të shkarkojë përfundimisht nga detyra gjyqtarin e Tiranës, Artan Lazajn, me argumentin se ka në pronësi pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë ligjërisht.

Fillimisht, Kolegji ka vendosur të rrëzojë si të paligjshëm vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, për shkarkimin nga detyra të Lazajt, për shkak se e njëjta trupë gjykuese e KPK kishte shqyrtuar dhe rrëzuar kërkesën e gjyqtarit për përjashtimin e anëtares së trupit gjykues Brunilda Bekteshi, njëkohësisht kryesuese.

Por, me po të njëjtin vendim, Kolegji ka vendosur të shkarkojë Lazajn nga detyra. Një nga arsyet e shkarkimit ka të bëjë me një apartament me sipërfaqe 158,1 m2, blerë në vitin 2010, me vlerë 129.000 euro. Gjyqtari i shkarkuar e nuk e deklaruar këtë apartament në vitin 2010, por vetëm në vitin 2011 dhe me vlerë 120 mijë euro.

Ndërkohë, në deklaratën tjetër të pasurisë për llogari të Vetingut, Lazaj e ka deklaruar apartamentin me vlerë 129.000 euro dhe me pjesë takuese ¼. Për këtë pasuri, Artan Lazaj ka pretenduar se apartamentin me sipërfaqe 158,1 m2 nuk e ka deklaruar në vitin 2010 për arsye të harresës. Pra, sipas tij, ka harruar ta deklarojë.

Ai ka shtuar se vlera 120.000 euro e deklaruar në vitin 2011 përfaqëson vlerën e rënë dakord fillimisht me shoqërinë, ndërsa më vonë kanë rënë dakord që kjo shoqëri të kryente dhe mobilimin e apartamentit duke çuar në vlerën përfundimtare prej 129.000 eurosh, sa është deklaruar në deklaratën e pasurisë për Vetingun. Lazaj ka pretenduar se në vitin 2011 ka deklaruar pjesën takuese 100% të këtij apartamenti, ndërsa në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit ka deklaruar 25%, sepse familja e tij përbëhet nga katër anëtarë, me të cilët ai ndan në mënyrë të barabartë çdo pasuri të paluajtshme e të luajtshme.   /shqiptarja.com/